Google ADS

Zyrtarët e korruptuar do të kursehen nga ekspozimi në publik përmes gjykimit në mungesë

17:25 | 20 Mars 2019
Arbresh.info

Shumë shpejt persona që kryejnë vepra të ndryshme penale mund të gjykohen edhe pa pranin fizike të tyre në gjykatë.  Krejt kjo mund të bëhet nëse Kodi i ri i Procedurës Penale do të votohet i tillë  në Kuvendin e Kosovës, siç është miratuar nga Qeveria më 28 janar të këtij viti, shkruan arbresh.info.

Megjithatë, njohës të çështjeve të drejtësisë nuk shohin ndonjë të arritur të madhe me këtë ndryshim. Sipas tyre gjykimi dhe dënimi në mungesë të personave të përfshirë në vepra të ndryshme  penale nuk do të zgjidhte problemin e vuajtjes së dënimit të tyre. Ata madje thonë se me këtë ndryshim ekziston mundësia që publiku do të privohet nga mundësia për të parë veçanërisht përballjen e zyrtarëve të lartë me akuzat për korrupsion.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj thotë se nëse gjykimi dhe dënimi i të pandehurve do të bëhet pa prezencën e tyre, nuk është e sigurt që të njëjtit do të vuajnë dënimit e shqiptuar.

IKD: Kjo qasje konsiderohet si cenim dhe kufizim i të drejtave dhe lirive të të pandehurve

“Aktgjykimi në mungesë nuk mund të garantoj në të njëjtën kohë administrimin e drejtësisë në mënyrë efikase dhe duke respektuar të drejtat e të pandehurve në procedurë penale. Sikurse, gjykimi në mungesë në asnjë rrethanë nuk garanton se personat e dënuar mund të sillen në Kosovë për të vuajtur dënimin”, u shpreh Miftaraj për arbresh.info.

Sipas Miftarajt  rasti i ish-kreut të komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku dhe ai i  ish-drejtoreshës së  PTK-së, Leme Xhema, janë rastet më specifike që tregojnë se ekzekutimi i vuajtjes së dënimit ndaj tyre nuk është bërë asnjëherë, për shkak të arratisjes së tyre pas plotfuqishmërisë së vendimit të gjykatës ndaj tyre .

“Rasti i Zharkut dhe Xhemës janë shembujt më reprezentativ, ku gjykatat tona kishin dënuar të dy për kryerjen e veprave penale në Kosovë, por që organet e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë asnjëherë nuk kishin arritur që të njëjtit ti arrestojnë dhe dërgojnë në vuajtje të dënimit”, ka thënë ai.

Miftaraj thotë se ndjekja dhe arrestimi i personave të dënuar nga drejtësia  vazhdimisht është arsyetuar për mungesë të legjislacionit .

“Institucionet e drejtësisë në vazhdimësi dështimet e tyre për të përmbushur mandatin kushtetues dhe ligjor në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e personave që kanë kryer vepra penale, janë arsyetuar me mungesë të legjislacionit adekuat, Në këtë drejtim, instituti gjykimit në mungesë nuk është se do të ketë ndikim në ngritjen e efikasitetit në luftimin e kriminalitetit në Kosovë”, ka deklarua Miftaraj.

IKD-ja sipas tij këtë qasje e konsideron si cenim dhe kufizim të të drejtave dhe lirive të njeriut, respektivisht të të drejtave të të pandehurve në procedura penale. Ai shprehet se në kohët moderne shtetet pothuajse kanë eliminuar fare aktgjykimin në mungesë”, ka përfunduar Miftaraj.

 Çështja e gjykimit në mungesë sipas  koordinatorit të  Zyrës Ligjore në BIRN, Labinot Leposhtica është njëra prej risive kryesore që pritet të sjellë Kodi i ri i Procedurës Penale,  i cili aktualisht është miratuar në Qeveri dhe tani po procedohet në Kuvendin e Kosovës.

Leposhtica: Publiku nuk do të ketë mundësi të shohë përballjen e zyrtarëve të lartë me akuzat për korrupsion

Ai, thotë se personalisht ka qenë i angazhuar në grupin punues si pjesëtarë i shoqërisë civile.

Ndryshe nga Miftaraj, ai vlerëson se ky ndryshim do të sjellë efikasitet në trajtimin e lëndëve në gjykatat e vendit.

“ Posaçërisht i rëndësishëm është fakti se me miratimin e këtij Kodi do të mund të ndiqen dhe gjykohen në mungesë edhe të dyshuarit për krime të luftës të cilët aktualisht janë të pa qasshëm për drejtësinë kosovare ndërsa do të ketë padyshim ngritje të efikasitetit dhe evitim të zvarritjes së seancave gjyqësore edhe në rastet e korrupsionit”, shpërehet ai.

Gjykimi në mungesë sipas Leposhticës vlen për të gjitha rastet,  me përjashtim të rasteve të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit,  mirëpo në rastet tjera sipas tij  ka kritere që duhet të plotësohen dhe këto kritere përcaktohen në nenin 306 të Projekt Kodit të Procedurës Penale.

Ndër kriteret që duhet të plotësohen për vazhdimin e gjykimit në mungesë të të pandehurit  sipas tij është edhe mbajtja e një seance dëgjimore dhe aty vlerësohet çdo sqarim nga i akuzuari nëse ka vendosur për të munguar vullnetarisht dhe pastaj gjykimi mund të vazhdoj.

Leposhtica shton se të akuzuarit që mungon i caktohet një mbrojtës i cili madje mund ushtroj ankesë ndaj aktgjykimit.

“Pra me Projekt Kodin e ri të Procedurës Penale i është lëndë mundësi të akuzuarit që të mungoj në seancë dhe gjykimi të zhvillohet pa prezencën e tij duke e konsideruar se ka hequr dorë nga e drejta e tij për të qenë i pranishëm në seancë”, është shprehur Leposhtica.

Sipas tij, në rastet e krimeve të luftës  procedura e gjykimit në mungesë është më e thjeshtë dhe vetëm duhet të dëshmohet se është bërë përpjekje e mjaftueshme për të njoftuar të akuzuarin për shqyrtimin gjyqësor dhe pastaj çdo faze e gjykimit mund të zhvillohet pa prezencën e të akuzuarit i cili patjetër duhet të përfaqësohet nga një mbrojtës që e cakton gjykata.

Ai thotë se është me rëndësi që personat e akuzuar në raste të tilla kanë të drejtën e një rigjykimi për çështjen e tyre sipas kërkesës.

“Konsideroj se këto ndryshime i kontribuojnë në esencës evitimit të vjetërsimit të lëndëve nëpër raftet e gjykatave, megjithatë edhe Kodi Penal në fuqi, në paragrafin 2 të nenit 108 ka paraparë ndërprerjen e rrjedhjes së afatit të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit (janë dy lloje të parashkrimit, parashkrimi i ndjekjes penale dhe parashkrimi i ekzekutimit të dënimit që vije në shprehje pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit|)”, ka thënë Leposhtica.

Megjithatë, për dallim prej përfitimeve që mund të dalin nga ky ndryshim në Kodin e ri të Procedurës Penale, Leposhtica  shpreh shqetësimin e tij rreth ekzistimit të  rreziku që publiku të mos i shohë të akuzuarit për dëme milionëshe,  e vepra korruptive në bankën e të akuzuarve, për arsye se tani ju mundësohet që të heqin dorë vullnetarisht nga prezenca e tyre.

“Kësisoj publiku do të privohej nga mundësia për të parë veçanërisht përballjen e zyrtarëve të lartë me akuzat për korrupsion, reagimet e tyre në bankën e të akuzuarve dhe kësisoj zyrtarët do të kurseheshin nga ekspozimi para interesimit të publikut. Prandaj, gjyqtarët me shumë kujdes në seancat ku vlerësohen shkaqet e mungesës së të akuzuarve duhet t’i trajtojnë arsyetimet  e tyre”, ka thënë ai.

Ndryshe, qeveria e Kosovës në janar  të këtij viti ka miratuar draft-kodin e Procedurës Penale. Me këtë rast, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, pati thënë se ky Kod është harmonizuar me 12 aktet e Bashkimit Evropian.

Ai bëri të ditur se në mesin e ndryshimeve që janë bërë në këtë kod, është paraparë edhe suspendimi i gjithë personave zyrtar për të cilët ngritët aktakuzë./Elmedina Ballazhi/Arbresh.info

Të ngjashme