Heqja e roaming Kosovë-Shqipëri, kush përfiton më shumë?

09:36 | 20 Mars 2019
Arbresh.info

Tarifat roaming me Kosovën do të ulen duke nisur nga data 15 qershor 2019. Brenda fundit të këtij muaji, parlamenti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës duhet të miratojnë të gjitha ndryshimet e nevojshme, për t’i hapur rrugë uljes së çmimeve.

Nëse sot, një përdorues nga Shqipëria paguan deri në 215 lekë për minutë për telefonata kur shkon në Kosovë, tarifa maksimale që do të paguajë duke nisur nga qershori është 23 lekë për minutë. Ulja është edhe më e madhe për thirrjet hyrëse, nga 175 lekë për minutë, në 5 lekë për minutë.

Për mesazhet, çmimi do të bjerë nga 65 lekë për SMS sot, në 0.06 euro, apo rreth 7 lekë. Ndërsa për internetin operatorët do të tarifojnë maksimalisht 180 euro për GB, krahasuar me deri në 2900 euro sot. Këto çmime do të ulen gradualisht vit pas viti, deri në 2024, sipas planit të autoriteteve të komunikimit elektronik në të dy vendet, bazuar në modelin e Bashkimit Europian për heqjen e roaming.

Pas marrëveshjes me Kosovën, ulja e tarifave pritet të bëhet edhe mes vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Po kush përfiton më shumë nga heqja e tarifave roaming mes Shqipërisë dhe Kosovës? Më të avantazhuarit do të jenë vizitorët nga Kosova. Ata flasin më shumë dhe përdorin më tepër mesazhe e internet gjatë kohës që janë në Shqipëri. Kjo për shkak të numrit më të madh të vizitave dhe kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre, veçanërisht gjatë sezonit veror.

Sipas të dhënave zyrtare, përdorimi i telefonatave llogaritet në 1.7 milion minuta roaming në Shqipëri, krahasuar me 1.2 milion minuta roaming në Kosovë. Qytetarët e Kosovës përdorin tre herë më shumë mesazhet dhe deri në 31 herë më shumë internet.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes qeverive të dyja vendeve, interneti është edhe një nga shërbimet që do të ketë uljen më të madhe të çmimeve, duke avantazhuar drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës. /A2

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme