Stina e pranverës shton alergjikët! Këshillat e mjekëve

21:05 | 19 Mars 2019
Trina Galanxhi

Me ardhjen e stinës së pranverës dhe rritjes së temperaturave është shtuar dhe numri i personave të prekur nga alergji të ndryshme, ndërsa për ata persona që vuajnë tashmë janë rikthyer simptomat e para.

Në poliklinikat në kryeqytet vihet re dukshëm numri i shumtë i pacientëve që u janë drejtuar mjekëve pas shfaqjes së simptomave të alergjisë.

Mjekja alergologe në poliklinikën nr të 3 të specialiteteve, Mira Xhixho  për Report Tv thekson se moti i ngrohtë i ditëve të fundit ka favorizuar rikthimin e alergjive. Disa prej shkaqeve kryesore janë  polentet e luleve dhe bimët barishtore.

“Si pasojë e motit të mirë, të diellit dhe të temperaturave që janë në rritje dhe mungesës së shirave ne kemi pasur rastet e para që prej dy javësh, të alergjive tipike që vijnë nga polenet e pranverës, qoftë nga drurët e lartë, bimët barishtore, dhe barërat jeshilë, pasi polenet e tyre janë në ajër dhe ngacmojnë personat që kanë alergji” thotë mjekja.

Për doktoreshë Xhixho është shumë e rëndësishme që qytetarët të bëjnë vizitë menjëherë pas shfaqjes së simptomave të para që mund të jenë të ngjashme me viruse të tjera, në mënyrë që të merret mjekimi i duhur.

“Gjëja e parë më e mirë që mund të bëjmë është diagnoza, marrja e një mjekimi dhe konsulte nga mjeku specialist i alergjisë dhe ndjekja e gjithë rekomandimeve që jep mjeku. Në qoftë se kjo alergji nuk mjekohet por lihet në këtë formë, personat që i mbartin i mjekojnë vetë, atëherë kjo alergji fillon dhe komplikohet duke vështirësuar rrugët e frymëmarrjes”.

Gjithashtu, alergjitë shoqërohen dhe me komplikacone të tjera duke rënduar shëndetin e personit. Prandaj mjekët ngrenë alarmin në mënyrë që qytetarët të marrin mjekimin e duhur, dhe të  shmangin kategorikisht përdorimin e antibiotikëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme