Valdrin Lluka i reagon Bordit të Telekomit: Ndaloni punësimet, mos u merrni me politikë

17:14 | 19 Mars 2019
Arbresh.info

Pas komunikatës së Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës në të cilën përmendet ministri i  Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe thuhet se deklaratat e tij janë politike dhe tendencioze ka reaguar ky i fundit.

Lluka përmes një postimi në facebook ka shkruar se Bordi duhet të merret me menaxhimin e ndërmarrjes e jo me politikë, shkruan arbresh.info.

“Bordi i ndërmarrjes publike Telekomi Sh.A. duhet të merret me menaxhimin e ndërmarrjes në fjalë, të sigurohet që punësimet e jashtëligjshme të ndalohen, të rishikoj kontratat e dëmshme si dhe të adresoj humbjet e mëdha që kjo ndërmarrje po i realizon … dhe jo të merret me politikë”, ka shkruar Lluka.

I pari i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ka shkruar gjithashtu se ministria e tij do të kërkoj përgjegjësi për keqmenaxhim të asetëve të Kosovës.

“Ministria që unë drejtoj, do të kërkoj përgjegjësi nga çdo bord i ndërmarrjeve publike për keqmenaxhim dhe dëmtim të aseteve të Kosovës. Në të njëjtën kohë, edhe unë do jap përgjegjësi për punën time para qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Ndryshe gjatë ditës Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës përmes një komunikatë për medie ka shkruar se deklaratat e ministrit Lluka janë tendencioze.

Në komunikatë thuhet gjithashtu se Telekomi ka emëruar ekip që është duke negociuar me Z Mobile.

Deklaratat politike të ministrit të MZHE-së, z. Valdrin Lluka, besojmë se janë shumë tendencioze duke pasur parasysh që Telekomi i Kosovës është në periudhën e marrjeve të vendimeve shumë të rëndësishme që mundësojnë afarizëm normal të kompanisë në të ardhmen. Telekomi i Kosovës është në fazën e shqyrtimit të kontratës me Z Mobile, e cila për vite me radhë e ka rënduar funksionimin normal të Telekomit të Kosovës dhe që e ndikon afarizmin financiar negativisht me miliona euro. Momentalisht Telekomi ka emëruar ekipin që është duke negociuar me Z Mobile dhe vazhdimisht jemi duke u përpjekur që të jemi të informuar që në fund të arrihet një marrëveshje që do të jetë e leverdishme për kompaninë”, thuhet në komunikatë e Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës.

Gjithashtu në këtë komunikatë u bëhet thirrje mediave të mos sulmojnë Telekomin sepse po dëmtojnë shumë afarizimin e kompanisë.

“Gjithashtu është me rëndësi të ceket që edhe shumë media, të cilat po e targetojnë Telekomin e Kosovës duke e sulmuar publikisht, le të jenë në dijeni që po e ndikojnë negativisht në satisfaksionin e konsumatorit dhe direkt po e dëmtojnë shumë afarizmin e kompanisë. Shpresojmë që edhe sulmi i mediave (jo të gjithave) mos të jetë me qëllime të tjera duke pasur parasysh që shumë nga këto media, në të kaluarën kanë përfituar kontrata shuma milionëshe ndër vite me Telekomin”, theksohet më tej në komunikatë.

Ndryshe arbresh.info javë më parë kishte raportuar për mbi 30 punësime partiake që janë bërë muajt e fundit në Telekomin e Kosovës/Arbresh.info/

Lexo edhe: Pushteti ‘mbush’ Telekomin me reja, motra, fëmijë, vëllezër e militantë partiak

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme