Google ADS

Prokuroria e Shtetit reagon ndaj deklaratave të Albulena Haxhiut për Aleksandër Lumezin

14:44 | 19 Mars 2019
V. S.

Prokuroria e Shtetit ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu, e cila tha se kryeprokurori Lumezi me mbajtjen e disa pozitave po bie ndesh me ligjin.

Në reagimin e saj, Prokuroria e Shtetit ka përmendur edhe opinionin e Agjencisë Kuindër Korrupsionit në lidhje me kërkesën e kryeprokurorit Lumezi.

“Ia kujtomë deputetes së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, por edhe publikut, opinionin juridik të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), të dhënë më 09.07.2018 në lidhje me kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për ushtrimin e funksioneve publike, ku thuhet se; “Nuk ka konflikt interesi në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe funksioneve; Anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Anëtar/ Kryesues i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, Anëtar i Bordit Drejtues të Njësisë së Inteligjencës Financiare, Anëtar i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe nuk ka konflikt interesi të qenurit Kryetar i Komisionit për Provim të Jurisprudencës”, thuhet në reagim.

Tutje, sipas Prokurorisë së shtetit, këto deklarata janë të pasakta dhe të njëjtat kanë për qëllim cenimin e integritetit të Kryeprokurorit të Shtetit.

“Deklarimet e deputetes së Kuvendit të Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, të dhëna gjatë ditës së djeshme më 18 mars 2019, në një konferencë për shtyp në lidhje me bartjen e pozitave të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, duke thënë ndër të tjera se ”si bartës i institucioneve të drejtësisë nuk po e zbaton ligjin”, duke iu referuar ushtrimit të funksioneve publike të Kryeprokurorit të Shtetit, konsiderojmë se janë deklarata të paqëndrueshme, të pasakta dhe të njëjtat kanë për qëllim cenimin e integritetit të Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorit të Shtett, shtrimi i këtyre funksioneve nga ana e Kryeprokurorit të Shtetit është në harmoni me ligjet të cilat i kanë miratuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe nëse mendoni që Kryeprokurori i Shtetit nuk duhet t’i ushtrojë këto funksione, atëherë ju si deputet duhet t’i ndryshoni këto ligje.

“Si deputete e Kuvendit të Kosovës duhet të jeni shembull i mirë i respektimit të ligjeve dhe duhet t’i lexoni mirë vendimet e institucioneve dhe agjencive të tjera ligj-zbatuese, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lëshoheni në deklarata të tilla të cilat kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të institucionit të Prokurorit të Shtetit”, përfundohet në reagim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme