Lutjet për të dhuruar bamirësi, dëgjohen çdo ditë nga lypsarët apo organizatat të cilat mbledhin mjete për bamirësi. Shumë qytetarë të cilët kanë dhuruar shumë për bamirësi, nuk e dinë se ku ka qenë stacioni i fundit i të hollave të cilat i kanë dhuruar. Institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e organizatave, tregojnë për transparencën e tyre, se sa prej tyre raportojnë financiarisht.
Zeqir Bekolli, zëdhënës për media nga Ministria e Administratës Publike, në një prononcim për arbresh.info thotë se OJQ të cilat janë të regjistruara në Kosovë, arrijnë shifrën deri në 10,214 dhe se me status për përfitim Publik, janë vetëm 248.
Ndërsa për organizatat pa përfitim publik, ai tha se nuk janë të obliguara të raportojnë financiarisht, por, që duhet t’i kryejnë obligimet tatimore dhe fiskale.
“Organizatat Joqeveritare të cilat nuk kanë Status për Përfitim Publik(SPP), nuk kanë obligim për të raportuar në DOJQ. Ndërsa, sipas evidencës numri i OJQ-ve të regjistruara në Republikën e Kosovës ka mbërri shifrën 10214. Prej tyre statusin e përfitim publik e kanë 248 OJQ. Ligji përkatës i obligon OJQ-të, sikundër çdo subjekt juridik, të bëjnë menaxhimin e financave në përputhje me ligjet përkatëse. Ato, OJQ- të, të cilat nuk kanë SPP, duhet t’i kryejnë obligimet tatimore dhe fiskale ashtu siç e parashikon ligji për korporatat”, sqaron Bekolli.
Se a ka besueshmëri të plotë në këto organizata, Arta Sejdiu, nga Demokracia Plus, thotë për arbresh.info se këto organizata mund të kenë edhe prapavijë të dyshimtë.
Sipas saj, këto organizata të dyshimta prekin njerëzit aty ku janë të prirur të dhurojnë, si për shembull tek rastet e personave që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme.
“Vetë fakti që çdo ditë po shohim gjithnjë e më shumë organizata dhe përfaqësues të tyre duke kërkuar mjete për raste të ndryshme, e bënë disi të dyshimtë prapavijën e tyre. Shumica për mos të thënë të gjitha, prekin aty ku njerëzit priren të dhurojnë, ato shfrytëzojnë rastet e personave që vuajnë nga sëmundje e ndryshme si diçka që afekton ndërgjegjen tek njerëzit dhe i shtynë ata që të dhurojnë të holla”, deklaron Sejdiu.
Sejdiu përmendi edhe rastin e Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” e cila kohëve të fundit ka ndihmuar shumë persona.
Sipas saj, ajo shoqatë ka fituar besimin e bamirësve nga transparenca e aktiviteteve të tyre, por, ajo ka ngritur si shqetësim se ku shkojnë ato mjete po sa të grumbullohen.
“Në përgjithësi nëse i masim, nuk janë transparentë, kemi raste sporadike, sikurse rasti i shoqatës ‘Jetimat e Ballkanit’ që hovin e mbledhjes së mjeteve dhe besueshmërisë së bamirësve, mori pikërisht nga transparenca e çdo faze të aktivitetit të tyre. Nëse organizata ka përfillur detyrime ligjore fillimisht të formimit të asaj organizate, ajo supozohet të ketë të rregulluar çështjet e brendshme te funksionimit dhe fushëveprimit te saj. Mirëpo problemi këtu është se çfarë ndodhë posa te grumbullohen ato para”, shtron dyshimet Sejdiu.
Sa i përket bamirësisë në raste individuale, ajo thotë se dhurimi në këto raste është më i shpeshtë, e sidomos kur është si shtysë ndonjë figurë publike me çfarëdo ndikimi.
“Kur jemi tek bamirësia në Kosovë, nëse shohim sjelljet dhe veprimet e qytetarëve në këtë aspekt, janë më të prirur të dhurojnë në rase individuale, (p.sh brenda pak orëve janë grumbulluar mijëra euro) ose kur rastin apo kauzën e shtynë përpara ndonjë figurë publike me ndikim çfarëdo qoftë ai shoqëror, kulturor, politik, etj”.
Viteve të fundit në Kosovë ka shumë organizata jo qeveritare, që shumë prej tyre nuk e kanë regjistruar veprimtarinë e tyre, duke vazhduar edhe sot e kësaj dite të veprojnë pa licencë./arbresh.info/E.H/
Gruaja nga Prizreni raporton në polici për mospërkujdesje mj...
FSK realizon për herë të parë kursin e karrierës për kapiten
Bukuritë vjeshtore në parkun natyrorë të Qafshtamës, Kumbaro...
I dërguari i SHBA-së mbërrin në Bejrut, Libani e Hezbollahu ...
Libani e Hezbollahu pranojnë propozimin për armëpushim
Këto janë zonat ku sot do të ketë intervenime nga KRU “Prish...