Ligjit për Dialogun që të bëhet i plotfuqishëm i duhet të kalojë edhe një sfidë tjetër, atë me Gjykatën Kushtetuese.
Dy partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje e kanë kontestuar kushtetutshmërinë e këtij ligji duke kërkuar shqyrtimin e tij nga Gjykata Kushtetuese për të vërtetuar pretendimet e tyre për shkeljet që kanë ndodhur.
Në anën tjetër, mazhoranca së bashku me Partinë Socialdemokrate janë shprehur se ky ligj është i rëndësishëm për unifikimin e qëndrimit të Kosovës karshi Serbisë në dialogun mes dy vendeve. Shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Avni Arifi është shprehur shkurt për lajmi.net se është e drejtë kushtetuese e opozitës për ta kërkuar shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me këtë ligj. I pyetur nëse mendon se do të ketë gjetje për shkelje në këtë ligj, Arifi është shprehur se nuk e paragjykon verdiktin e Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk e paragjykoj verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, i takon vet Gjykatës të vlerësoj”, është shprehur shkurt ai.
Në anën tjetër, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit zëvendëskryeministër dhe anëtar i delegacionit për dialogun me Serbinë, Enver Hoxhaj për lajmi.net është shprehur se qëllimi i këtij ligji ishte unifikimi politik i forcave partiake, shkruan Lajmi.net.
Ai gjithashtu është shprehur se i takon Gjykatës Kushtetuese të sjell vendimin në lidhje me këtë ligj.
“Çfarë do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk më takon mua që të jap mendim se kjo është përgjegjësi dhe e drejtë e Gjykatës Kushtetuese dhe jo e politikës.
“Ndërsa, qëllimi I ligjit për delegacionin, i rezolutës dhe i platformës për dialogun është krijimi i unitetit politik në mes forcave partiake në Kosovë dhe një konsensusi nacional dhe shoqëror”, është shprehur Hoxhaj.
Ai gjithashtu ka shtuar se sipas tij do të ishte më e rëndësishme pjesëmarrja e opozitës në dialog sesa siç e quan ai ‘të humbet kohë me veprime taktike opozitare’.
“Mendoj më e rëndësishme do të ishte pjesëmarrja e tyre në dialog për ta arritur njohjen e ndërsjellë me Serbinë dhe anëtarësim në OKB sesa të humbet kohë me veprime taktike opozitare”, tha Hoxhaj.
Sipas Hoxhajt, viti 2019 është vit i mundësisë së madhe për një marrëveshje historike të Kosovës me Serbinë e cila mund të përmbush qëllimet strategjike të Kosovës.
Ndërsa avokati, Dastid Pallaska në një prononcim për lajmi.net është shprehur se problemi kryesor dhe më i rëndësishëm i Ligjit për Dialogun është fakti se është ligj i panevojshëm. Pallaska gjithashtu është shprehur se ky ligj nuk paraqet asgjë më shumë se një përmbledhje paralele dhe jo domosdo koherente të dispozitave kushtetuese aktuale.
Sipas Pallaskës, ekziston mundësia që Gjykata Kushtetuese të anulojë dispozitat kushtetuese dhe ligjore paralele të cilat do të mund të krijonin huti, por gjithashtu pasi ky ligj nuk përmban pothuajse asnjë dispozitë tjetër, është e mundshme që të anulohet nga Gjykata Kushtetuese në tërësi.
“Problemi kryesor dhe më i rëndësishëm i Ligjit për Dialog është fakti se është ligj i panevojshëm. Përkatësisht, ky “ligj” nuk paraqet asgjë më shumë se një përmbledhje paralele dhe jo domosdo koherente të dispozitave kushtetuese aktuale që kanë të bëjnë me rendin kushtetues në vend, në përgjithësi, dhe dispozitat kushtetuese dhe ligjore që aktualisht rregullojnë negocimin dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, në veçanti. Për shkak të natyrës dhe raportit hierarkik ndërmjet këtyre dispozitave kushtetuese dhe ligjore, që sigurojnë ndërveprim e tyre dinamik në praktikë – këto dispozita kushtetuese dhe ligjore nuk mund të përmblidhen në një instrument të vetëm ligjor. Duke marrë këtë parasysh, mendoj që Gjykata Kushtetuese – nëse e konsideron kërkesën e lejueshme – do të përqendrohet në mbrojtjen e dispozitave aktuale kushtetuese dhe ligjore që qeverisin çështjet që janë objekt i Ligjit për Dialog. Rrjedhimisht, është e pritshme që Gjykata Kushtetuese të anulojë dispozitat kushtetuese dhe ligjore paralele të cilat – po që se do të mbeteshin në fuqi – do të krijonin huti dhe/apo pengesa në zbatimin e dispozitave kushtetuese dhe ligjore aktuale që rregullojnë çështjet që janë objekt i Ligjit për Dialog. Pasi që Ligji për Dialog nuk përmban pothuajse asnjë dispozitë tjetër, është e mundshme që ky instrument ligjor, në tërësinë e vet, të anulohet nga Gjykata Kushtetuese”, është shprehur Pallaska për lajmi.net.
Pallaska gjithashtu treguar edhe për afatin në të cilin pritet që Gjykata Kushtetuese që vendos në lidhje me kërkesën e parashtruar, duke vënë në dukje faktin se ky ligj mbetet i pezulluar deri atëherë.
“Tash pasi që Ligji për Dialog është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ky instrument ligjor mbetet i pezulluar – sipas veprimit automatik të ligjit – deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e parashtruar. Sipas praktikës së deritanishme, Gjykata Kushtetuese do të vendos për kërkesën në afat prej tre deri në katër muaj”, tha Pallaska.
Avokati, Dastid Pallaska ka shpjeguar gjithashtu se kjo nuk mund të jetë pengesë për vazhdimin e dialogut, pasi nuk ka asnjë zbrazëti kushtetuese dhe ligjore sa i përket kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucioneve.
“Pezullimi i Ligjit për Dialog nuk mund të jetë pengesë për vazhdimin e dialogut, në kuptimin kushtetues dhe ligjor. Kjo për shkak se aktualisht nuk ka asnjë zbrazëti kushtetuese dhe ligjore në vend në lidhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të institucioneve të ndryshme kushtetuese të cilat janë përgjegjëse për negocimin dhe/apo miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka sqaruar Pallaska.
Në fund, Pallaska duke theksuar se ky ligj është tërësisht i panevojshëm është shprehur se Kosova e ka tejet të kompletuar dhe të avancuar infrastrukturën kushtetuese dhe ligjore që është e nevojshme për dialogun me Serbinë. Pallaska po ashtu ka theksuar se Kosova ka edhe përvojë të pasur dhe të suksesshme në zbatimin e kësaj infrastrukture kushtetuese dhe ligjore të ngjashme para pavarësisë.
Sipas Pallaskës, në lidhje me këtë, Grupi i Unitetit mbetet mekanizmi i vetëm funksional për vënien në zbatim të sistemit tonë kushtetues dhe ligjor për negocimin dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me paqen.
“Siç e përmenda më lartë, Ligji për Dialogun ishte dhe mbetet tërësisht i panevojshëm. Kosova jo vetëm që e ka të kompletuar dhe tejet të avancuar infrastrukturën kushtetuese dhe ligjore që është e nevojshme për dialogun me Serbinë por, çka është më me rëndësi, ka një përvojë të pasur dhe të suksesshme në zbatimin e një infrastrukture kushtetuese dhe ligjore të ngjashme para pavarësisë. Në lidhje me këtë, Grupi i Unitetit mbetet mekanizimi i vetëm funksional për vënien në zbatim të sistemit tonë kushtetues dhe ligjor për negocimin dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me paqen, siç portretizohet të jetë marrëveshja me Serbinë. Në fakt, duke marrë parasysh kërkesën kushtetuese prej 2/3 për miratim të marrëveshjeve të tilla ndërkombëtare, asnjë palë e tretë nuk do të duhej të ulej në tavolinë me një “delegacion” nga Kosova që nuk mund ta sigurojë këtë shumicë të kualifikuar apo që, së paku, nuk është autorizuar të negociojë nga një shumicë e tillë”, tha krejt në fund Pallaska për lajmi.net.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë kontestuar kushtetutshmërinë e këtij ligji sepse sipas tyre bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës në 8 pika. Në anën tjetër, njohësit e Kushtetutës e kanë konsideruar si të panevojshëm, duke thënë gjithashtu se ky ligj mund të kontestohet dhe debatohet në Gjykatën Kushtetuese.
Shpërthimet në veri, Haradinaj: Organet e sigurisë të bashkë...
Përplasja e Xuxit me Kevinin shkaktoi momente të tensionuara...
Xuxi pyet Edin: “A i ke ra pishman që ke dal?” –Edi: “Pishma...
Hezbollahu e cilëson si “fitore hyjnore” armëpushimin me Izr...
Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, ndërpr...
Edi vjen në studion e Prime, Dini e ngacmon: “A pate ka me h...