Ashtu si me rastet e protestave të tjera të kërkuara nga opozita edhe ajo e ditës së nesërme përballë kryeministrisë është refuzuar nga policia e shtetit.
Opozita kishte bërë kërkesë për një protestë 48 orëshe, por policia nuk e ka pranuar këtë opsion duke u shprehur në letërkëmbim me eksponentët e PD-së se protesta mund të ndahet në dy ditë, të nisë të shtunën dhe të përfundojë po të shtunën, për të filluar sërish të dielën për disa orë të tjera.
Refuzimi i kërkesës së opozitës tregon në një farë mase planin e kësaj të fundit për të qëndruar në shesh dhe për të rrethuar kryeministrinë me protestues, një ide e cila është lënë të kuptohet nga liderët politikë tëopozitës më shumë se një herë.
Ndërkohë në bulevard, policia ka marrë që nga dita e djeshme të gjitha masat për “fortifikimin” e zonës përreth kryeministrisë në rast të momenteve të përplasjes mes efektivëve dhe opozitës.
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë akte të dhunës dhe sesi situata do të përshkallëzojë, por është fakt që mjaft përfaqësues të opozitës janë shprehur se janë kundër dhunës, por në rast se qytetarët do të irritohen, atëherë ata nuk do t’i ndalojnë. Në këto kushte dita e nesërme mund të shoqërohet me akte të dhunës e më pas me gazin famëkeq lotsjellës, pasojat e të cilit u panë fare qartë gjatë njërës prej protestave të opozitës përballe parlamentit. Shumë qytetarë përfunduan në spital, ndërsa aroma e rëndë e gazit shkoi disa qindra metra më larg, duke u kthyer në shqetësim serioz për kryeqytetin dhe bizneset.