Google ADS

Komisioni për Arsim diskuton për kompensimin e orëve të humbura

08:28 | 15 Mars 2019
Arbresh.info

Sot në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Arsim do të diskutohet lidhur me kompensimin e orëve të humbura mësimore, si pasojë e grevës së mësimdhënësve.

SBASHK-u e ministria e Arsimit po vazhdojnë përplasjet për orët e humbura nga greva.

Kjo mosmarrëveshje tashmë ka kaluar edhe në rrafshin e gjykatave, ku sindikata e Arsimit e ka paditur ministrinë, dhe njëkohësisht ka kërkuar pezullimin e vendimit për kompensimin e orëve të humbura, shkruan lajmi.net.

Megjithëse gjykata ia refuzoi kërkesën për pezullimin e vendimit, SBASHK-u nuk e ka ndërmend t’i kompensojë orët e humbura.

Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut, për lajmi.net tha dje (e enjte) se sindikata që udhëheq ai nuk e ka ndërmend t’i kompensojë orët e humbura.

Megjithatë, ai thotë se disa shkolla tashmë po e bëjnë një gjë të tillë, dhe se sipas tij, krejt kjo është rezultat i presionit të ministrisë së Arsimit.

“Pas presionit të ministrisë së Arsimit, disa shkolla nuk e kanë përkrahur vendimin e SBASHK-ut. Megjithatë në jemi të vendosur dhe se do të presim verdiktin e gjykatës në lidhje me këtë çështje”, ka thënë ai.

Jashari po ashtu ka bërë të ditur se në  lidhje me këtë, nesër do të mbahet takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, ku pritet të diskutohet edhe ky problem.

E krejt ndryshe thonë nga ministria e Arsimit.

Valmira Gashi, zëdhënës në këtë ministri, për lajmi.net tha se vendimi për kompensimin e orëve të humbura është në interes të nxënësve, në mënyrë që atyre t’u rikuperohet dëmi që është shkaktuar nga greva.

“Vendimi i Ministrit për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës ka qëllim tejet pozitiv, është në përputhje me interesin e nxënësve, në mënyrë që të rikuperohet dëmi që u është shkaktuar atyre nga greva”, ka thënë Gashi për lajmi.net.

Megjithëse Gashi thotë, se forma e planifikuar e zëvendësimit të orëve është bërë në koordinim të plotë me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ai nuk specifikon nëse kompensimi i tyre do të bëhet edhe gjatë pushimit të verës.

“Lidhur me vendimin ne fjalë, ju njoftojmë se forma e planifikuar për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës se organizuar nga SBASHK-u është bërë në koordinim të plotë me Drejtoritë Komunale të Arsimit”, ka thënë tutje Gashi.

“Nuk ka asnjë dispozitë ligjore që e ndalon zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, madje vendimi është marrë në përputhje të plote me udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2018/19”, thotë Gashi.

Kujtojmë, se Sindikata e Bashkuar e Arsimit kishte hyrë në grevë e cila kishte zgjatur tre javë.

Greva ishte organizuar me qëllim përmbushjen e kërkesave të sindikalistëve, ku përfshihej rritja e pagave dhe rritja e koeficientit për 30 për qind në Ligjin e ri. /

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme