Google ADS

30 ditë heqje lirie për pronarin e “Durmo Tours”

22:59 | 14 Mars 2019
Arbresh.info

Shpejtësia dhe frenat në gjendje jo të rregullt janë shkaktarët e aksidentit tragjik të autobusit në fshatin Llaskarcë. Tahografi ka qenë i manipuluar për të fshehur shpejtësinë reale të autobusit.

Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditor pronarit të kompanisë “Durmo Turs” dhe udhëheqësit të kontrollit teknik “Auto Moto Lidhja Gostivar”, ndërsa për njërin nga të dyshuarit është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Gjykata po shqyrton kërkesën e Prokurorisë edhe për tre të dyshuarit tjerë. Gjashtë personat e lartë përmendur ndiqen penalisht për veprim kundër sigurisë së njerëzve dhe mjeteve në komunikacion, kurse i dyshuari i shtatë për kryerje të detyrës në mënyrë të papërgjegjshme.

Hetimi është kryer ndaj gjashtë personave, edhe atë ndaj pronarit dhe menaxherit të subjektit juridik transportues, si dhe udhëheqësit. Tre të dyshuarit e tjerë, janë persona përgjegjës, që janë të punësuar në kontrollin teknik për mirëmbajtje teknike të autobusit. Tani i dyshuari i gjashtë është shoferi. Si rezultat i lëshimeve të këtyre gjashtë të dyshuarve, kanë humbur jetë 15 persona dhe janë lënduar 39 persona të tjerë”- tha Sasho Rajçev, prokuror.

Nga Prokuroria thonë se udhëheqësi i kontrollit teknik, ka qenë në dijeni për tahografin e manipuluar por përsëri ka mundësuar që autobusi të lëvizë në rrugë pa kontrollues të vërtetë të shpejtësisë. Tre teknikët në kontrollin teknik , kanë lëshuar në përdorim autobusin edhe pse tek i njëjti janë vërejtur defekte në sistemin e frenimit që nga muaji qershor i vitit të kaluar. Ata nuk e kanë rregulluar e as nuk e kanë ndalur të njëjtin nga qarkullimi por kanë shënuar në dokumente se autobusi është në gjendje të rregullt teknike. Lëshimi i shoferit është tejkalimi i shpejtësisë. Është konstatuar se në momentin e aksidentit autobusi ka qenë duke lëvizur me 99 km/h. Shoferi ka aktivizuar një sistem të fshehtë me të cilin e ka manipuluar tahografin që të mos e tregojë shpejtësinë e vërtetë. Nga Prokuroria pohojë se shoferi është i prekur nga diabeti por se sëmundja nuk ka ndikuar në aksident. Shoferi në momentin e aksidentit nuk ka përdorur telefonin celular, thonë nga organi ndjekës. Sipas prokurorit Sasho Rajçev, hetimet ende do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë e rastit. Aksidentit ndodhi më 13 shkurt, në autostradën Shkup-Tetovë, destinacioni i autobusit ishte Gostivari. Autobusi humbi kontrollin, kaloi tre mbrojtëse rrugore dhe përfundoi në një fushë të fshatit Llaskarcë, i përmbysur. 15 persona nuk i mbijetuan dot goditjes ndërsa rreth 40 udhëtarë të tjerë u lënduan rëndë./AlsatM/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme