Shpërbërja e Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, përçan Bashkimin Demokratik për Integrim. Përmes një reagimi, zëvendëskryeministri i angazhuar për zbatimin e MO-së, Hazbi Lika, ka theksuar se për këtë iniciativë të BDI-së, ai si bartës funksioni dhe njeriu i dytë i Qeverisë, nuk ka qenë i informuar aspak.
Lika përmes reagimit të tij kërkon që aktorët politik në vend të mbajnë llogari për fatin e Marrëveshjes së Ohrit. Madje sipas tij një kërkesë e ngjashme i është bërë edhe kreut të partisë, takimin me të cilin Lika e quan të vonuar.
“Unë si përfaqësues i BDI-së, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në detyrën e Zëvendës Kryeministrit të angazhuar për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistemin Politik, nuk jam informuar as edhe i konsultuar për iniciativën dhe as për hartimin e këtij ligji, duke aluduar në kompetencat që do të bartë Institucioni i ri i cili krijohet, dhe lidhshmërinë që do të ketë me vetë Marrëveshjen Paqësore të Ohrit. Në takimin e fundit të realizuar me kreun e partisë, edhe pse vonë, megjithatë kemi kërkuar që të hapet debat dhe të diskutohet rreth kësaj iniciative me të gjitha organet partiake, por edhe me palët e interesuara jashtë partiake, duke tentuar në rruajtjen dhe trashëgimin e vlerave të mirëfillta që burojnë nga Marrëveshja Paqësore e Ohrit”, tha Lika.
Ndaj qëndrimeve të Likës ka reaguar partia e tij amë. BDI i kujton Likës se ky shndërrim është parapara në programin zgjedhorë të BDI-së dhe platformën e përbashkët të partive politike shqiptare, duke i kujtuar të njëjtit se në postin e zëvendëskryeministrit është zgjedhur për të zbatuar programin zgjedhor dhe jo për të munguar në punë.
“Bashkimi Demokratik për Integrim përkujton opinionin e gjerë në vend se iniciativa për avancimin dhe transformimin e Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve rrjedh nga: Analiza cilësore e Marrëveshjes së Ohrit nga viti 2015, Platforma zgjedhore e Bashkimit Demokratik për Integrim “2020”, nga Deklarata e Përbashkët e partive politike shqiptare. Deputetët si dhe ministrat e zgjedhur në këtë përbërje parlamentare dhe qeveritare janë zgjedhur në bazë të programit të premtuar në zgjedhjet e vitit 2016”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Reagimi i Likës pason atë të ish ushtarëve të UÇK-së të cilët i adresuan kërkesat e tyre deri në Sekretariat me qëllim që ky organ qeveritar të mos shuhet. Ndonëse kërkesat i ishin adresuar Likës në cilësinë e bashkëluftëtarit, ky i fundit zgjodhi të reagojë një ditë para se propozimi të gjendet para deputetëve. Likë së fundi mbahej mend si zëvendëskryeministri i cili nuk ishte paraqitur me muaj të tërë në vendin e tij të punës, gjë për të cilën në opinion nuk ka dhënë shpjegime. Madje mungesat e tij nuk ka arritur t’i arsyetoj as kreu i partisë. Nga ana tjetër i pari i organit ekzekutiv disa herë kishte paralajmëruar shkarkimin e tij për faktin që nuk paraqitet në mbledhje të Qeverisë. Me iniciativë të BDI-së dhe zyrtarisht me iniciativë të një grupi të deputetëve, Sekretariati për Zbatimin e MO-së, propozohet të shndërrohet në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive”. Deputetët në draft sugjerojnë që kjo ministri përveç kompetencave të sekretariatit, të marrë edhe një pjesë të kompetencave të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës. Në përbërje të kësaj ministrie do të funksionojnë edhe Drejtoria për zhvillim dhe avancim të arsimit në gjuhën e pjesëtarëve të bashkësive dhe Drejtoria për afirmim dhe avancim të kulturës së pjesëtarëve të bashkësive./Alsat/
Gjesti rrëfen në detaje se çfarë u bë shkak i ndarjes me Xhe...
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...