Apeli merr vendim të ri lidhur me aksidentin tragjik te rruga “B” ku humbën jetën dy vajza

15:06 | 12 Mars 2019
Arbresh.info

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka aprovuar ankesën e prokurorisë, kundër vendimit mbi ndërprerjen e paraburgimit, ndaj të pandehurit L.M.

“Ky i fundit u shpall fajtor ditë më parë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 e 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për çka u dënua me 3 vjet e 6 muaj burgim, vendim ky që nuk do të ekzekutohet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Po të njëjtën ditë, me anë të një aktvendimi të posaçëm, të akuzuarit iu ndërpre masa e paraburgimit, kurse kundër ndërprerjes së kësaj mase ushtroi ankesë prokuroria.

Gjykata e Apelit konsideron se ankesa e prokurorisë është e bazuar dhe se vendimi i gjykatës së shkallës së parë P.nr.87/2019 duhet të anuluar, dhe i njëjti t’i kthehet asaj në rivendosje.

Gjykata e Apelit vlerëson se arsyetimi i dhënë nuk mundi ta bind këtë gjykatë, se me të vërtetë si i tillë është i mjaftueshëm dhe bindës dhe konform dispozitave ligjore, për ndërprerjen e paraburgimit ndaj të pandehurit në fjalë, ngase sipas vlerësimit të Kolegjit, arsyetimi është jo i plotë, i mangët”, thuhet në njoftimin për media.

Deri në një vendim të ri nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari mbetet në liri.

Gjykata e Apelit akoma nuk ka pranuar ankesë kundër aktgjykimit me anë të cilit, i pandehuri është dënuar për veprën penale në fjalë. Sapo të pranoj do të vendos brenda një afati të arsyeshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme