Shkup: Ekspozita “Migrimi i turqve nga Azia në Anadoll”

10:11 | 18 Shtator 2015
Arbresh.info

Nën organizim të Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre” nga 16 shtatori e deri më datë 25 shtator në Teatrin Popullor të Maqedonisë do të jetë e hapur ekspozita “Migrimi i turqve nga Azia në Anadoll” nga artisti i njohur turk, Rauf Tuncer, raporton Anadolu Agency.

Ekspozita “Migrimi i turqve nga Azia në Anadoll” përmban vlera të thella dhe të rëndësishme historike-kulturore. Sipas autorit, figurat përshkruajnë gjuetinë, luftëra të kafshëve dhe skena të manifestimeve të ndryshme. Nga Azia deri në Evropë, njëri nga vendet më rrënjësore është kultura turke dhe këtë autori e ka përpunuar me shenja të ndryshme nga shkrime kaligrafike osmane.

Drejtori i Qendrës Kulturore Turke, Mehmet Samsakçi, duke theksuar se Tuncer figurat e tij arrin të bashkojë të vjetrën me të rejën dhe klasiken me modernitetin, shprehu bindje se do të ketë interes të madh nga dashamirësit e artit nga Shkupi dhe nga e tërë Maqedonia.

“Trojet e Ballkanit janë vende me të cilat kemi kulturë të përbashkët dhe kemi vlera historike dhe gjeografike të përbashkëta, kështu që njeriu kur prodhon punime pozitive dëshiron që çdo herë t’i shpërndaj me njerëzit e afërt. Disa herë kam qenë edhe në Kosovë, në Mal të Zi, dhe nuk ndjehem si i huaj. Çdo herë kur vij këtu ndjej atë bashkësi që kemi mes dy popujve”, deklaroi autori i ekspozitës, Rauf Tuncer.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë, Behixhudin Shehabi, në fjalën e tij falenderoi Institutin “Yunus Emre” për organizime të këtilla si kjo, si dhe i uroi sukses institutit që në të ardhmen të ofrojë ekspozita të njëjta, të cilat siç theksoi ai, me bukurinë e tyre bashkojnë orientin.

Nga ana tjetër, ambasadori turk në Maqedoni, Ömür Sölendil, duke e quajtur popullin e Maqedonisë mik të Turqisë me vlera kulturore dhe historike të përbashkëta, theksoi se në të ardhmen do të vazhdojë të përforcojë bashkëpunimin me Maqedoninë në fushën e kulturës,.

Artisti Rauf Tuncer vite me radhë ishte mësues i artit figurativ në shkolla të mesme, ndërsa pas largimit nga ky profesion krijoi punëtorinë e vet private në Stamboll. Ai ka organizuar mbi 200 ekspozita personale dhe të përgjithshme në vendlindje dhe jashtë vendit, si dhe programe kulturore në Holandë, Greqi, Iran, Arabin Saudite dhe SHBA.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme