Gashi: Vepra e 21 dëshmorëve të Kombit, frymëzim dhe krenari

14:30 | 11 Mars 2019
Arbresh.info
Sot, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajl Berisha” në Prizren, nën patronatin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u mbajt akademi
përkujtimore për nder të 20 vjetorit të Betejës së Jeshkovës dhe rënies së 21 dëshmorëve të Kombit.

Me këtë rast, ministri Gashi, në fjalën e tij përmendi luftën heroike të UÇK-së me në krye komandantin legjendar Adem Jashari, dhe konkretisht foli
për Betejën e Jeshkovës.

Për Betejën e Jeshkovës dhe rënien heroike të 21 dëshmorëve të kombit, ministri Gashi tha se ishte dhe do të ngelë një ndër epopetë më madhështore
të historisë së lavdishme të kombit tonë.

“Prandaj, edhe sot në këtë 20 vjetor të krenarisë së përmotshme të Betejës së Jeshkovës, të rënies së 21 dhëshmorëe dhe martirëve, me plot krenari
themi se, djemtë dhe vajzat edhe të Brigadës 125 të UÇK-së, pra, 21 dëshmorët e rënë në atë betejë, ishin luftëtarë të dritës së lirisë”, tha
ai.

Ai po ashtu theksoi se vepra e 21 dëshmorëve të rënë në atë betejë, të cilët e përjetësuan betimin e të parëve, do të jetë frymëzim dhe krenari.

“Edhe Beteja e Jeshkovës, rënia e dëshmorve të kombit, 20 vjet pas, e forcojnë ndjenjën, shpirtin e atdhetarisë shqiptare, për rolin kombëtar,
historik të luftës së UÇK-së, sepse, edhe para zhvillimeve ndërkombëtare të asaj kohe, veçmas, para tryezave diplomatike, lindja dhe lufta e UÇK-së,
ishte dhe do të ngel, shkëlqimi më i ndritur mbarë kombëtar i fundshekullit të XX-të”, u shpreh ministri Gashi.

Po ashtu, ministri theksoi: “Pa luftën heroike edhe të Njësisë Speciale të Brigadës 125, pa Betejën e Vërrinit, përkatësisht, pa luftën e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës anë e mbanë vendit tonë, nuk do ta kishim krijimin, për herë të parë në histori, të Aleancës Ushtarake dhe Diplomatike të
UÇK-së me NATO-në dhe SHBA-të, nuk do të ngrihej Bondstilli, nuk do të kishim shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës dhe, aq më parë, nuk do të
mund të ishim sot, në rrugën e sigurt drejt integrimeve veri-atlantike dhe, mbi të gjitha drejt anëtarësimit të ushtrisë së Kosovës në NATO”.

Gjithashtu, përveç tjerash, ministri Gashi foli edhe për rrugëtimin e Kosovës drejt Evropës dhe tha: “Kosova, populli i saj, në bashkëpunim edhe
me aleatët tanë, të prirë nga SHBA-të, jemi edhe më të guximshëm, më të bashkuar, edhe me besimplotë, në rrugëtimin tonë mbarëkombëtar drejt
familjes evropiane, jemi, gjithnjë e më pranë, vlerave të demokracive dhe të qytetërimeve perëndimore”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, janë të vendosura që, me zgjuarsi, unitet nacional, vendosmëri tu përgjigjen sfidave të kohës, me objektivin
që, shteti i Kosovës të bëj progres të vazhdueshëm drejt konsolidimit dhe përparimit të gjithanshëm”, përfundoi ministri Gashi.

Ndërkaq, Isa Berisha, përfaqësues i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, tha se në këtë betejë kanë qenë shumë dëshmorë dhe kjo ishte një goditje e
rëndë për UÇK-në.

“Morali dhe qëllimi ishte shpëtimi nga okupatori serb. Edhe pse në atë kohë në Kosovë ishte misioni vëzhgues i OSBE-së, bishat serbë nuk kursyen asgjë.
Ndonëse kemi dhimbje të madhe, familjet e dëshmorëve duhet të ndihen krenarë për sakrificën e më të dashurve të tyre të cilët dhanë jetën që ne
sot ta gëzojmë lirinë”.







Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme