Azilet do të bëhen e ardhmja e biznesit në Shqipëri

11:11 | 10 Mars 2019
Arbresh.info

Nevojat për kujdes intensiv për të moshuarit po rriten në Shqipëri, por nga ana tjetër, logjistika që mbështet me furnizime këtë kategori konsumatorësh pothuajse mungon.
Në janar 2019, INSTAT numëroi se në Shqipëri jetojnë 76,413 persona mbi 80 vjeç. Personat e kësaj moshe janë shtuar me 11,606 në raport me vitin 2015. Një familje që trajton me shërbim në shtëpi një person në këtë moshë e ka shumë të vështirë të sigurojë pajisje që lehtësojnë rutinën e një të moshuari.

Në Shqipëri mungojnë njësitë e shitjes me pakicë për të moshuarit, të cilat në vendet e Europës Perëndimore janë mjaft të përhapura. Farmacitë kanë nisur të fusin furnizime të posaçme, por tregu ofron shumë pak në raport me nevojat që paraqiten. Kompanitë që ofrojnë pajisje për shtëpi nuk kanë thuajse asnjë produkt të përshtatshëm për moshat e thyera, si krevate të lëvizshme dhe pajisje të tjera që lehtësojnë përditshmërinë e të moshuarve.

Pajisje që mund të manovrohen lehtë me prekjen e një butoni, si hapja e dyerve, dritareve apo krevate dhe dollapë, të nevojshme për moshat e vjetra. Pajisje mjekësore si karriget me rrota, sistemet e shpërndarjes së oksigjenit, pajisjet ndihmëse të lëvizjes etj. Tualete të përshtatur për të moshuarit, mobilie si ashensor, banjot në këmbë do të kenë shumë shpejt një kërkesë në rritje.

Shërbimet në shtëpi do të shënojnë rritje

Pamundësia për të lëvizur lirisht nga moshat e vjetra do të nxisë ofrimin e shumë shërbimeve në shtëpi. Ndër më të kërkuarat do të jenë biznesi i pastrimit dhe ai i kujdesit personal. Moshat e vjetra janë të prira të kenë shpesh kafshë në shtëpi dhe kujdes intensiv pastrimi. Një popullsi më e vjetër në moshë nxit bizneset e organizuara në shtëpi.

Në Shqipëri ka nisur të zhvillohet ky lloj biznesi, ku numri i të punësuarve si kujdestar shtëpie po rritet. Shumë të moshuar kanë nevojë për shërbim parukerie ose berberi, ndaj ofruesit e këtij shërbimi do ta shohin si mundësi të re ofrimin e shërbimit në shtëpi. Biznesi i transportit do të shënojë rritje, pasi të moshuarit do të kenë nevojë që të lëvizin me një mjet të posaçëm për rutinën e përditshme. Shqipëria dhe sidomos Tirana nuk ofron një transport publik komod, i cili është tërësisht i papërshtatshëm për të moshuarit.

Bizneset e mjekësisë dhe ofrimi i tyre në shtëpi do të rriten. Të moshuarit lëndohen lehtë dhe për këtë arsye nevojat për imazheri në shtëpi do të rritet. Klinika të vogla, që do të mund të ofrojnë shërbime në shtëpi, do të nevojiten më shumë në të ardhmen edhe në Tiranë.

Bizneset e porosive në shtëpi do të kenë rritje në një popullsi që shkon drejt plakjes. Shërbime si pazaret ushqimore, blerja e barnave, porositë rutinë të ditës po ashtu do të rriten.

Njerëzit e moshuar kanë nevojë më të madhe për shërbimet e kujdesit shëndetësor si fizioterapi, terapi, masazh. Këto shërbime kërkojnë aftësi të specializuara dhe janë mundësi të shkëlqyera për të bërë biznes, duke pasur parasysh prirjet demografike të sotme.

Shqipërisë i mungon tërësisht edhe personeli i specializuar për trajtimin e të moshuarve. Gjeriatria nuk është një profesion që zgjidhet nga të rinjtë shqiptarë, ndërkohë nevojat janë në rritje. Pensionet e ulëta dhe mospërshtatja e funksioneve dhe shërbimeve për të moshuarit rrezikon të krijojë një mjedis të vështirë për moshat e treta.

zilet, bizneset e së ardhmes

Qendrat e përkujdesjes së të moshuarve, ndryshe azilet, do të jenë një nga trendet e zhvillimit të ekonomisë. Plakja e popullsisë në botë dhe asaj në vend me ritme të shpejta ka rritur nevojat për të ofruar shërbime për moshat e vjetra kundrejt kostove më të lira.

Vendet skandinave, por edhe ato nga Europa Qendrore po i shohin vendet e Europës Lindore dhe ato mesdhetare si një mundësi e mirë, për shkak të kostove ende konkurruese dhe klimës së mirë që ofrojnë. Shërbimet për moshat e vjetra shihet të jenë po aq me leverdi për ekonominë dhe bizneset sa edhe bizneset e turizmit, madje edhe më shumë.

Ndërsa kujdesi për të moshuarit është një biznes mjaft i zhvilluar në Europën Lindore, sapo ka nisur të formësohet ideja dhe në Shqipëri. Investitorë italianë, por dhe të tjerë, po e shohin me interes ndërtimin e shtëpive (azile) me fokus të moshuarit e “pasur” të Europës Perëndimore. Gjatë dy viteve të fundit është rritur kërkesa për apartamente me qira në Sarandë dhe Vlorë. Këto vijnë nga njerëz të moshuar në Europën Qendrore dhe të Veriut, të cilët duan t’i kalojnë pushimet në vende të ngrohta dhe me kosto jetese të ulët dhe të paguajnë më pak taksa për pensionet. Hotelet dhe resortet turistike mund të përshtatin oferta turistike për të moshuarit në muajt e dimrit, siç bën prej vitesh Turqia për pensionistët rusë dhe ata nga Gjermania.

Paga mesatare në Shqipëri është rreth 250-300 euro në muaj, kështu që me një pension neto që fillon nga 500 euro e lart, mund të jetohet më mirë se në Itali, ku do të duhej dyfishi i të ardhurave për të njëjtin nivel jetese. Përveçse ndikojnë në hyrjen e një sasie të ardhurash në Shqipëri, importi i të moshuarve italianë ndikon në rritjen e punësimit të dadove dhe infermierëve.

Shqipëria në fazën e plakjes së avancuar

Tendencat e ndryshme të popullsisë sipas grupmoshave nënkuptojnë një proces demografik të plakjes së popullsisë. Mosha mesatare (d.m.th. në të cilën gjysma e popullsisë është më e re dhe gjysma tjetër më e vjetër) parashikohet të ketë rritje të vazhdueshme, megjithëse në një masë më të vogël kur krahasohet me të kaluarën e vonë, do të arrijë në 41,7 vjeç në vitin 2031 në përputhje me skenarin e mesëm të rritjes, me një interval prej 40,0 dhe 43,6 vjet në përputhje me skenarin e ulët të rritjes dhe atë të lartë (nga 32,6 në vitin 2011). Shqipëria do të ketë arritur moshën aktuale mesatare të Europës deri nga fundi i periudhës së projeksionit. Popullsia e Shqipërisë jo vetëm që do të plaket, por strukturat për këtë moshë parashikohen të transformohen në të ardhmen.

Deri në vitin 2011, plakja nxitej nga tkurrja e brezave të lindur d.m.th plakje në bazë të piramidës: raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie nga 53 fëmijë për 100 të rritur në moshë pune në vitin 1989 në 32 fëmijë në vitin 2011 dhe në 25 fëmijë më 2018. Deri tani varësia

e të moshuarve ka qenë e kufizuar, megjithëse ajo është dyfishuar nga 8 në 16 individë për 100 të rritur në moshë pune, ndërsa në vitin 2018, arriti në 20.

Sipas projeksioneve aktuale të INSTAT, varësia e të rinjve parashikohet të bjerë me një ritëm të ngjashëm krahasuar me rritjen e varësisë të të moshuarve deri në vitin 2021 (një rënie deri në 25 të rinj dhe një rritje deri në 23 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune respektivisht, sipas skenarit të rritjes mesatare). Në dekadën e dytë të projeksioneve, tendenca e varësisë së të rinjve varet nga skenari, me një tendencë stabilizimi ose të një rënieje të lehtë.

Skenari i rritjes së lartë nënkupton një ringritje për shkak të supozimeve të lindshmërisë së lartë dhe humbjeve të vogla nga migrimi. Tendenca në rritje e varësisë të të moshuarve, në kontrast, duhet të intensifikohet kur brezat e foshnjave të lindura gjatë gjeneratës “baby-boom” të fillojnë të arrijnë moshën e pensionit në vitet 2020. Skenari i rritjes së mesme nënkupton 30 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune në vitin 2031. Nëse plakja e avancuar ndodh kur raporti i varësisë të të moshuarve kalon atë të të rinjve, atëherë fillimi i saj në Shqipëri mund të pritet përpara vitit 2025.

Të moshuarit mund të punojnë, ja variantet

Ndërkohë që popullsia e botës dhe ajo e Shqipërisë po shkon drejt plakjes, rritja e jetëgjatësisë dhe ndryshimi i stilit të jetesës i bën aktivë të moshuarit në tregun e punës, edhe jashtë moshës së pensionit. Ja disa nga profesionet:

-Kujdestar fëmijësh: Njerëzit e moshuar i duan fëmijët dhe fëmijët gjithashtu duan të jenë pranë të moshuarve. Kjo është arsyeja pse biznesi i parë që rekomandohet për një grua të moshuar është kujdesi për fëmijët me disa orë në ditë.

-Konsulenca: Një i moshuar ka përvojë dhe ky është avantazhi i tij më i madh në krahasim me brezat më të rinj. Të moshuarit 80-vjeçarë mund të dinë truke të tregtisë ose të profesioneve të tjera të cilat mund t’ua mësojnë të tjerëve

-Shërbime stërvitje: Një i moshuar mund të bëhet trajner i karrierës, trajner i marrëdhënieve sociale, këshilltar martese etj.

-Zhvillues i pasurive të paluajtshme: Një i moshuar mund t’i investojë kursimet e pensionit në ndërtimin ose blerjen e shtëpive për rishitje.

-Konsulencë tatimore: Shumë kompani dhe individë kërkojnë shërbimet e dikujt që mund t’i ndihmojë të zvogëlojnë barrën e tyre tatimore. Ju mund të filloni një biznes konsulence tatimore për t’i ndihmuar këta njerëz jashtë nëse keni pasur më parë përvojë në biznes.

-Gazetar ose shkrimtar i pavarur: Një i moshuar mund të bëjë para duke shkruar, duke punuar si gazetar i pavarur ose si një bloger.

-Mësimdhënia: Një tjetër ide interesante për të moshuarit është mësimdhënia në një shkollë me kohë të pjesshme ose të plotë.

-Kontabiliteti: Një i moshuar mund të ndihmojë personat më të rinj në moshë të llogarisin të ardhurat dhe shpenzimet e tyre, madje edhe të përgatisin pasqyrat financiare. /Monitor

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/azilet-do-te-behen-e-ardhmja-e-biznesit-ne-shqiperi-634181/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme