Prokuroria Themelore kërkon paraburgim për shefin e vozitësit që shkaktoi aksidentin në Gjilan

16:46 | 9 Mars 2019
A. B.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar 30 ditë paraburgim për pronarin e kompanisë së ujit Peja – kamioni i së cilës shkaktoi aksidentin në Gjilan.

Mbrëmë Prokuroria në Gjilan kishte ndaluar rreth orës 19:30 minuta të dyshuarin V.T në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të veprës penale, ‘’Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ky është njoftimi i plotë i Prokurorisë së Gjilanit:

Prokuroria Themelore në Gjilan, mbrëmë rreth orës 19:30 minuta, ka ndaluar të dyshuarin V.T., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale, ‘’Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka ndaluar të dyshuarin V.T., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti, si person përgjegjës i kompanisë, më 7 mars 2019, e kishte lejuar të dalë në qarkullim automjetin transportues – kamionin, e markës ‘’Scania’’, pronë e SH.P.K ‘’VEV GROUP’’ – Prishtinë, i cili ka qenë pa regjistrim dhe pa kontrollë teknike që nga data 18 gusht 2017, të cilin e ka drejtuar shoferi i kësaj kompanie M.A., me ç’rast i njëjti ka shkaktuar aksident trafiku, si pasojë e të cilit përveç dëmeve materiale, lëndime të lehta trupore kanë pësuar 23 persona, lëndime të rënda trupore 3 persona, ndërsa lëndime të natyrës vdekjeprurëse ka pësuar, i ndjeri Q.Ç.

Prokurorja e rastit, sot ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme