Google ADS

Cakaj takim me shqiptarët në Malin e Zi: Tuzi, shembull për nevojën e bashkimit

09:14 | 9 Mars 2019
Arbresh.info

Gjatë vizitës në Malin e Zi, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, zhvilloi një takim edhe me të gjithë përfaqësuesit e faktorit politik shqiptar në vendin fqinj.

Ministri në Detyrë u ndal të zhvillonte takime dypalëshe me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptareve, Faik Nika, Kryetarin e Partisë Forca, Nazif Cungu, Kryetarin e Unionit Demokratik Shqiptar, Mehmet Zenka, Kryetarin e Alternatives Shqiptare, Nik Gjeloshaj, Kryetarin e Lidhjes Demokratike, Nikollë Camaj, Kryetarin e Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, Kryetarin e Lidhjes Demokratike në Malin e Zi, Saubih Mehmeti, si dhe me Kryetarin e Perspektivës, Amir Hollaj.

Në takimin me ta Ministri Cakaj nënvizoi rolin konstruktiv dhe aktiv të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi në proceset integruese euro-atlantike, tepër të rëndësishme si për vetë shqiptarët, ashtu edhe për të ardhmen e Malit të Zi. Ndër të tjera, Ministri në detyrë Cakaj duke iu referuar fitores së koalicionit “Malësia na Bashkon” për zgjedhjet lokale në Komunën e re të Tuzit, theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që mbart unifikimi i mëtejshëm i mbarë spektrit politik shqiptar në Malin e Zi

“Shembulli i Tuzit flet më mirë se çdo retorikë tjetër për nevojën e unifikimit të shqiptarëve për të nxitur, zhvillimin e mëtejshëm ekonomik te tyre, përmirësimin e jetesës, përfaqësimit të tyre më të mirë në institucionet qendrore e lokale, si dhe arritjen e disa standardeve të reja në arsimimin, ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditave të shqiptarëve në Mal të Zi” – u shpreh kryediplomati shqiptar në takimin me partitë shqiptare të Malit të Zi. Në takimin me faktorin politik shqiptar, rëndësi e veçantë iu dha edhe bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimit të zonave në dy anët e kufirit, në funksion të mundësimit të programeve zhvillimore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme