8 Marsi, transporti publik në Tiranë, falas për çdo femër

10:30 | 8 Mars 2019
Arbresh.info

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Bashkia e Tiranës ka siguruar transport publik falas për të gjitha gratë dhe vajzat në Tiranë. Kështu çdo femër që do të hipë sot në urbanet e linjave të Tiranës, brenda për brenda kryeqytetit, nuk do të paguajë biletë. Ky është viti i tretë radhazi që kryebashkiaku Erion Veliaj sjell një mënyrë për të kujtuar dhe vlerësuar të gjitha gratë në Tiranë.

Kjo iniciativë nisi në vitin 2017 dhe është kthyer në një traditë tashmë. Në Shqipëri 8 Marsi është kthyer në një simbol të veçantë, për nënat dhe vajzat, të cilat në këtë ditë ndihen të privilegjuara. Ato marrin dhurata nga fëmijët apo bashkëshortët, në shenjë mirënjohje dhe respekti. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 9 dekada.

Dita e Gruas u vendos fillimisht në përkujtim të demonstratës së grave punëtore në Nju Jork. Por përfundimisht, 8 Marsi u vendos si Dita Ndërkombëtare e Gruas, pas tragjedisë së 25 marsit 1911 në një fabrikë po në Nju Jork, ku zjarri i rënë në një fabrikë ku punonin vetëm gra shkaktoi 146 viktima, shumica e tyre emigrante. Tragjedia shënoi ditën në të cilën gratë përveçse festojnë, edhe protestojnë për të kërkuar më shumë të drejta dhe barazi gjinore në të gjithë botën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme