Partitë shqiptare në Maqedoni urojnë 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

13:18 | 7 Mars 2019
Arbresh.info

Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit kanë uruar gjithë mësimdhënësit shqiptarë.

Ata thonë Dita e Mësuesit është një ngjarje me shumë rëndësi kulturore dhe kombëtare në të gjitha trojet e banuara me shqiptarë.

Menduh Thaçi – PDSH:
“Dita e Mësuesit është një ngjarje me shumë rëndësi kulturore dhe kombëtare në të gjitha trojet e banuara me shqiptarë. Vlera, dinjiteti dhe krenaria e kombit shqiptar janë atribute që ju takojnë vetëm mësimdhënësve tanë. Më lejoni që për nderë të 7 Marsit – ditës së arsimit shqip, në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, t’ju shpreh urimet dhe përgëzimet më të sinqerta arsimtarëve, pedagogëve dhe profesorëve shqiptarë”.

Ziadin Sela – Aleanca për Shqiptarët:
“Gjuha shqipe, alfabeti i saj, shkolla dhe mësuesi, gjatë historisë e patën fatin e njëjtë me atë të vet kombit. Historia na mëson për këtë rrugëtim plot rreziqe dhe sakrifica të mësuesve atdhetarë që ishin të vendosur ta vazhdojnë punën e tyre të shenjtë edhe në rrethana shumë të rrezikshme. Këtë veprimtari të rrezikshme, që shumë mësues e paguan me jetë nga armiq të përbetuar kundër gjuhës dhe shkollës shqipe, sot e kujtojmë si vepër krenarie kombëtare. E tërë kjo epope e lavdishme e shkollës shqipe, e ka një ditë të shënuar që na kthen në histori dhe njëkohësisht na mëson si të ecim përpara, duke rritur cilësinë në arsimin tonë kombëtar. Kjo ditë është 7 Marsi, dita e mësuesit dhe e shkollës shqipe që u legjitimua pikërisht me këtë atë, në qytetin e Korçës. Gëzuar dhe urime të dashur mësues për festën tuaj që njëherit e konsiderojmë edhe tonën dhe të mbarë kombit!”.

Vesel Memedi – RDK:
“7 Marsin e kujtojmë me respekt të thellë për mësuesit dhe rilindasit e parë shqiptarë të cilët na e lanë amanet gjuhën shqipe, të cilën e flasim tani. Mësuesit – prindërit tanë të dytë, u sakrifikuan me vite të tëra, andaj shprehim falënderimin për gjithçka që bënë për ne, për durimin që kishin dhe për tërë diturinë që e përcollën te ne. Të gjithë atyre që punuan dhe punojnë në mësimdhënie, ua uroj Ditën e mësuesit. Gëzuar të gjithë edukatorëve, mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve!”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme