Marrëveshja Kosovë-Serbi krijon parakushtet për zvogëlim të prezencës së huaj ushtarake

08:33 | 6 Mars 2019
Arbresh.info

SHBA-të janë të interesuara të zvogëlojnë prezencën ushtarake dhe shpenzimet në Kosovë, sepse kanë kaluar 20 vjet pas lufte, e po ashtu për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të krijohen parakushtet për tërheqje, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në vend.

Analisti, Donik Sallova, vlerëson se kryeministri, Ramush Haradinaj i ka cenuar raportet me Amerikën duke këmbëngulur në taksën. Sipas Sallovës përplotësimi i sovranitetit të Kosovës është në dorë të Amerikës.

 “Unë mendoj që është pikërisht Kryeministri ai që i ka cenuar raportet me Amerikën duke këmbëngulur në taksën ndaj Serbisë e cila taksë po u pengon përpjekjeve amerikane për ndërtimin e paqes në Ballkan përmes marrëveshjes Kosovë-Serbi. Pavarësisht justifikueshmërisë së saj, nëse taksa është në dëm të interesit amerikan, atëherë është edhe në dëm të interesit të Kosovës, duke pasur parasysh se përplotësimi i sovranitetit të Kosovës është në dorë të Amerikës. Prandaj në ketë kontekst, Haradinaj ka përgjegjësi”, thotë Sallova për arbresh.info.

Analisti, Armend Muja, thotë se marrëdhëniet me SHBA-të janë përkeqësuar që nga viti 2013, e pastaj  ka ndikuar edhe sjellja e kryeministrit Haradinaj në përkeqësimin e marrëdhënieve.

“Marrëdhëniet e Kosovës me aleatët perëndimor kanë filluar të rëndohen që nga viti 2013. Kjo sepse ne ende vazhdojmë të kemi një sjellje të llastuar të trashëguar nga koha kur Serbia ishte agresor e ne viktimë. Megjithatë, mjedisi ku ne operojmë ka ndryshuar për këto arsye: (a) Serbia ka avancuar në integrimin evropian dhe është me e pranueshme se Kosova në gjirin evropian, (b) Serbia është rritur ekonomikisht dhe ka neutralizuar përkrahjen nga aleatet tonë tradicional, (c) ne kemi qenë projekt i një mendësie neliberale ne rendin botëror por ne demokratizim mbesim prapa Serbisë, (d) mendësia jonë qeverisëse nuk ka ndryshuar dhe ende mbetet semi-tribale në natyre.  Z.Haradinaj ka ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve. Sjellja e tij në raport me BE dhe SHBA përbën edhe një goditje në marrëdhëniet edhe ashtu të zbehura”, është shprehur Muja për arbresh.info.

Sipas tij, SHBA-të janë të interesuar që të arrijnë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të krijohen parakushtet për tërheqje.

“Klasa jonë politike duhet të zgjohet dhe të ri mendoj sjelljen tonë në raport me botën, t’i kuptojë ndryshimet botërore dhe të reflektojë, të kuptojë që aleatët perëndimorë kanë sponsorizuar shtetësinë tonë, por që nuk kanë borxhe të pafundme ndaj Kosovës. SHBA është e interesuar të zvogëlojë prezencën ushtarake dhe shpenzimet në Kosovë sepse kanë kaluar 20 vjet pas lufte. Ata janë të interesuar që të arrijnë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të krijohen parakushtet për tërheqje. Ne duhet të kapitalizojmë këtë moment dhe nuk mund të parazitojmë pafundësisht në investimet dhe sigurinë ndërkombëtare”, ka thënë Muja.

Ndryshe, Kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Qeveria e Kosovës të pezullojë taksën për produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe këmbëngulja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj që taksa të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia, tashmë kanë rezultuar me sinjale se raportet ndërmjet dy vendeve partnere po shkojnë drejt tendosjes./A.Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme