Pompeo optimist për vazhdim të bisedimeve me Korenë e Veriut

20:23 | 5 Mars 2019
A. B.

Shefi i diplomacisë amerikane, Mike Pompeo u shpreh të hënën se shpresonte në rinisjen e dialogut me Korenë e Veriut në javët e ardhshme pas dështimit të samitit të Hanoit, pasi pranoi se nuk ka asnjë angazhim nga ana e Phenianit.

”Pavarësisht punës së madhe të bërë nga ekipet e Departamentit të Shtetit, të Departamentit të Mbrojtjes, të Departamentit të Energjisë të cilët u përpoqën këto javët e fundit për të perfeksionuar atë që do të ishte një marrëveshje e vërtetë e madhe, nuk ia dolëm mbanë gjatë takimit në fund të shkurtit mes Donald Trump dhe Kim Jong Un”, u shpreh me keqardhje sekretari i Shtetit gjatë një vizite në Iowa.

”Pra shpresoj, megjithëse nuk kam ende asnjë angazhim për këtë çështje, që të mund të rinisim punën, dhe unë të dërgoj një ekip në Phenian në javët e ardhshme për të vijuar identifikimin e çështjeve ku ka interesa të përbashkëta’’, shtoi ai.

Presidenti i SHBA-së dhe lideri i Koresë së Veriut dështuan në samitin e tyre të dytë, për të arritur një marrëveshje edhe të pjesshme mbi denuklearizimin koreano-verior, që kishte kryesisht në fokus çështjen e sanksioneve ekonomike, ndërsa Kim Jong Un kërkoi heqjen e tyre, përcjell Atsh.

Dy kampet konfirmuan ndër të tjera dëshirën për vazhdimin e dialogut, megjithëse nuk është caktuar ende asnjë takim i ri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme