Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë ka kapur rreth 400 kilogram barna në të zezën në nëntë barnatore private në disa komuna të Kosovës. Shumica e këtyre barnave kanë qenë me banderola të Serbisë, ka konfirmuar drejtori i IF-së Dr. Shaban Osmanaj.
Rreth dy javë më parë Inspektorati Farmaceutik nisi një aksion në disa komuna të Kosovës pas disa informacioneve për shitje të barnave në të zezën dhe në barnatore të palicencuara. Drejtori i Inspektoratit, Dr. Shaban Osmanaj, ka bërë të ditur se inspektimet janë kryer në Pejë, Krushë të Madhe, Gjilan, Prishtinë dhe Rrogoqicë.
“Në të gjitha rastet subjektet në fjalë kanë qenë pa licencë. Në Krushë të Madhe është gjetur një ordinancë gjinekologjike e cila licëncën e punës e ka shfrytëzuar edhe për shitjen e barnave në një hapësirë tjetër. Në të gjitha rastet është bërë regjistrimi i produkteve dhe është bërë konfiskimi ku janë qindra lloje të barnave me rreth 400 kilogram”, ka deklaruar Osmanaj.
Ai ka konfirmuar se shumica e barnave kanë qenë me banderola të Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Turqisë e të tjera. Osmanaj ka thënë se për të gjitha rastet janë njoftuar rajonet përkatëse të Policisë. Këta të fundit në Rroqoqicë kanë arrestuar një person dhe aktualisht është nën hetime.
Osmanaj bën të ditur se përveç barnave me banderola të vendeve të huaja, janë konfiskuar edhe barna me banderola të Kosovës të cilat janë gjetur në barnatore të palicencuara. Ai iu ka bërë thirrje depove farmaceutike që të mos iu shesin barna barnatoreve që s’janë të licencuara, në të kundërtën do të përballen me gjoba.
“Janë gjetur barna me banderola të Kosovës në barnatore të pa licencuara dhe kjo është e kundërligjshme edhe për furnizuesit të cilët nuk kanë të drejt t’iu shesin barna subjekteve të palicencuara. Prandaj ju bëj thirrje të gjithë qarkulluesve me shumicë që nuk kanë të drejtë të furnizojnë asnjë qarkullues me pakicë nëse ata nuk kanë licencë pune. Ndryshe do të merren masa ndaj këtyre depove”, ka deklaruar Osmanaj.
Kryeinspektori tha se këtyre subjekteve iu është ndaluar puna, ndërsa për të gjitha rastet është njoftuar edhe Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale./Infokus
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...
Vesa Luma shënon 20-vjetorin e karrierës së saj me koncert m...
Gjermani, AfD rekomandon daljen nga BE në programin e saj el...
Gjatë fundjavës priten reshje shiu dhe bore në Kosovë
Alisson zbulon klubin ku dëshiron të transferohet pasi të la...
Hoti: Serbia nuk dëshiron zbatimin e deklaratës për të zhduk...