Frika për një përshkallëzim të dhunës në protestën e radhës të opozitës para Parlamentit, ka detyruar policinë të marrë masa paraprake.
Të martën, në 5 mars, pavarësisht se policia nuk ka dhënë leje, opozita ka vendosur të dalë të protestojë ashtu siç bëri të enjten e shkuar, ku nuk munguan incidentet, dhuna, gomat e djegura dhe gazi lotsjellës.
Bëhet fjalë për masa shtesë, ku ndër të tjera orët e fundit janë instaluar kamera me rezolucion të lartë që mundësojnë identifikimin e protestuesve me anë të zoom-it.
Janë 6 kamera sigurie që janë instaluar nga Policia e Shtetit në vende të ndryshme për të pasur një panoramë sa më të gjerë të aktivitetit të protestuesve. Tre kamera sigurie janë vendosur në sheshin pranë Parlamentit dhe qendrës tregtare, dy kamera janë të fiksuara, ndërsa një e lëvizshme do të monitorojë të gjitha lëvizjet në këtë pjesë të sheshit.
Një tjetër kamerë është vendosur në pallatin që ndodhet ngjitur Parlamentit, e cila ka një pamje të qartë të protestuesve që vinë nga rruga e Elbasanit. Një tjetër kamerë është vendosur në hyrje të kalasë së Tiranës për të monitoruar dhe lëvizjet e mundshme të protestuesve në këtë zonë.
Mes të tjerash, policia ka në dispozicion edhe kamerat e bizneseve aty pranë, të cilët në çdo kohë mund të hyjnë në punë për të identifikuar persona të dhunshëm gjatë protestës apo incidente të mundshme gjatë saj.
Ashtu si në protestën e shkuar, opozita ka angazhuar të gjitha strukturat dhe simpatizantët e saj për të manifestuar para Kuvendit. Ndërkohë që seanca plenare pritet të nisë në orën 10:00, policia ka vendosur të ruajë rendin dhe institucionin me rreth 1 mijë policë dhe agjentë civilë në terren./gsh/
Profesori Koser: Kosova shembull që duhet ndjekur nga shtete...
Hasani: Mbi 5 mijë tekste mësimore në diasporë, rreth 20 mij...
Deliu- Kodra thotë se ushtarët e FSK-së kanë mbetur pa rrymë
Rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë...
Kastrati prezanton të dhënat finale të regjistrimit të popul...
Signo kërkon falje publike ndaj Donnarummas, thotë se nuk is...