Hidrocentralet e ndërtuar në bjeshkët e Deçanit kanë dëmtuar shumë bukurinë e vetme të këtij qyteti, Grykën e Deçanit dhe malet e saja. Deçani ka potencial për turizëm malor, por me ndërtimin e hidrocentraleve janë dëmtuar shumë malet dhe mjedisi dhe është zbehur shpresa për zhvillim dhe investim në këtë aspekt.
Në vitin 2012, kompania austriake “Kelkos” kishte marrë leje nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Deçanit që të ndërtojë hidrocentralet që do të shërbejnë për prodhimin e rrymës përmes rrjedhës së ujit.
Banorët ankohen për degradim të maleve dhe shkatërrim të Lumbardhit të Deçanit. Nga ndërtimi i këtyre hidrocentraleve ata po përballen edhe me mungesë të ujit në qytete.
Ndërtimi i Hidrocentraleve e ka degraduar parkun kombëtar në Deçan, ka shkatërruar bjeshkën e Zallit të Rupës dhe tërë Grykën e Deçanit. Po ashtu ka zhdukur edhe botën shtazore që kanë jetuar në atë lum.
Por, a mund të rrënohen këto hidrocentrale dhe Grykës së Deçanit t’i kthehet bukura natyrore që ka pasur?
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, thotë se nuk ka kthim mbrapa sepse sipas tij, nëse rrënohen këto termocentrale, shteti duhet të ua paguaj të gjitha dëmet dhe shpenzimet kompanisë “Kelkos” të cilën e ka pajisur me leje.
“Ato kanë leje, i kanë marrë lejet ma herët, ato funksionojnë që një kohë të gjatë. Nuk e di a mundem me u hek sepse në momentin që janë pajisë me leje atëherë duhet me jau pagu dëmin pasi ua ndal punën”, është shprehur ministri Matoshi për arbresh.info.
Por, për Kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ekziston mundësia e largimit të tyre nëse sipas tij do të kishte një gjykim të drejtë dhe nëse do të ishin marrë për bazë dëmet që u janë shkaktuar mjedisit dhe ambientit.
“Ky është një vendim pak me i madh. Mundësia është në rast të një gjykimi të drejt në rast të konsiderimit të dëmeve që janë shkaktuar në mjedis dhe ambient dhe kish mujt me u marr parasysh dhe kompanisë me iu kompensuar investimi që e ka bërë dhe lumi me u kthy prap në gjendjen e mëparshme”, thotë kryetari Ramosaj për arbresh.info.
Ai vlerëson se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve është një fatkeqësi për komunën e Deçanit.
“Komunës së Deçanit i kanë shkaktuar shumë dëme të mëdha. Komuna e Deçanit në raport me këtë investim nuk e ka asnjë përfitim. Përpos degradimit shumë të madh që i ka bërë natyrës ndërtimi i këtyre hidrocentraleve. Lejet kanë ardh si rrjedhojë e Ministrisë për Ambient e cila i ka dhënë pëlqimet dhe i ka dhënë lejet. Në një far forme kjo është bërë në periudhën e tranzicionit kur agjencioni i pyjeve është shndërruar në agjenconin e parkut nacional në kohen kur ata e kanë marrë tokën, kurse ne si komune jemi mundu që me pas një kontratë me ta vetëm për përqojat për stabilimentet nëntokësore që me pas një far takse të shfrytëzimit të pronës komunale. Në një farë mënyrë është një fatkeqësi që i ka ndodhur krejt qytetit”, deklaron Ramosaj.
Lumbardhi i Deçanit dhe të gjithë lumenjtë tjerë në Kosovë janë nën vëzhgimin e nivelit qendror thotë Ramosaj ku sipas tij komuna nuk pyetet për ta.
“Lumbardhi i Deçanit dhe statusi juridik i të gjithë lumenjve në Kosovë janë nën menaxhim të shtetit janë monopol i shteti që realisht Komuna nuk pyetet për ta. Është kompetencë e nivelit qendror”, tha Ramosaj.
Për gjendjen aktuale të Grykës së Deçanit banorët i bëjnë fajtorë Ministrinë e Mjedisit dhe Komunën e Deçanit.
Adriatik Gacaferri, nga shoqëria civile në Deçan, ka treguar për arbresh.info dëmet dhe gjendjen aktuale që është në Bjeshkët e Deçanit.
“Ndërtimi i Hidrocëntraleve në Deçan e ka dëmtuar shumë mjedisin, degradimi i madh i parkut kombëtar, shkatërrimi i bjeshkës së Zallit të Rupës dhe tërë Grykës së Deçanit në përgjithësi, por edhe një ndikim shumë të madh negativ për botën shtazore, trofta dhe çdo lloj gjallese ujore nuk mund të jetoj kur lumi mbetet pa ujë”, tha Gacaferri.
Deçanasit, perspektivën e tyre e kanë parë në zhvillimin e turizmit malor, por me ndërtimin e hidrocentraleve ajo shpresë u është shuar.
“Deçani nuk ka ndonjë industri të madhe të zhvilluar, e në horizont as që shihet ndonjë plan për këtë. Kështu e vetmja perspektivë në këtë qytet mbetet turizmi, e kur them turizmi them ai malor sepse për truizëm kulturor nuk kemi shumë trashëgimi e për atë detar nuk kemi deti, kështu pra Gryka e Deçanit me malet/bjeshkët e saja mbeten e vetmja shpresë për Deçanin, me shkatërrimin e saj mund të shuhet dhe ajo shpresë”, është shprehur Gacaferri.
Sipas tij, banorët po përballen edhe me mungesë të ujit gjatë verës.
“Vlen të theksohet se nga ndërtimi i Hidrocentralit në Grykën e Deçanit mbi 30 mijë banorë te kësaj komune gjatë gjithë verës përballën me reduktime të ujit tash e sa vite. Fajtor për këtë është Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Deçanit”, përfundoi ai.
Një grup banorësh të kësaj komune kanë dërguar kërkesë zyrtare në Komunën e Deçanit që të kenë qasje publike në marrëveshjen sekrete që sipas tyre ka nënshkruar kjo komunë me kompaninë “Kelkos Energy”, por për dy here radhazi nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga komuna./arbresh.info/
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?