Anila Z, pak javë më parë përfitoi një urdhër mbrojtje të menjëhershme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Lushnjes, 48 orë pasi parashtroi kërkesën në komisariatin e policisë së këtij qyteti.
Pasi doli nga seanca, gruaja 39 vjeçare u largua nga pjesa e pasme e gjykatës, nga ku hyjnë e dalin palët në proces – e vetëdijshme se vendimi ishte vetëm beteja e parë e një lufte për tu shkëputur trup dhe shpirt nga një marrëdhënie e dhunshme.
Nënë e dy fëmijëve ende të mitur Anila mori rrugën drejt banesës së prindërve në periferi të qytetit, ku tashmë do të nis një jetë të re. Prej pak ditësh ajo është larguar nga shtëpia e saj në qendër të Lushnjes, pasi dhunohej nga bashkëshorti, i cili tashmë ligjërisht duhet ti qëndrojë larg, ndërsa nëna e re duket e vendosur për zgjidhjen e martesës.
“Kur sekretarja thirri emrin tim gati sa nuk më ra të fikët, po dridhesha pasi mendova se do të shikoja prapë tim shoq ndaj të cilit kam kërkuar urdhër mbrojtje,” tregon Anila. “Por ai nuk u paraqit në seancë, kishte marrë avokat mbrojtës,” shtoi ajo.
Vendimi i gjykatës së Lushnjes për t’i dhënë mbrojtje ligjore Anilës nuk është i rrallë. Vetëm gjatë vitit 2018-të, kjo gjykata shqyrtoi qindra kërkesa të ngjashme dhe miratoi një pjesë të mirë prej tyre. Megjithatë, sipas juristëve urdhri i mbrojtjes është vetëm një nga vështirësitë e shumta me të cilën përballen gratë dhe vajzat që bihen pre e dhunës brenda mureve të shtëpisë.
Dhuna në familje mbetet një problem madhor në shoqërinë shqiptare. Sipas të dhënave të organizatave të shoqërisë civile, vetëm për vitin 2017 u raportuan mbi 4500 raste të dhunës në familje, me të paktën 11 viktima. Edhe gjashtëmujori i parë i vitit 2018 u përgjak nga dhuna në familje, ku gjashtë gra u vranë për shkak të konflikteve brenda familjes.
Në korrik 2018, qeveria miratoi një ligj i cili përmirësoi masave mbrojtëse, duke rritur angazhimin e policisë së shtetit, si dhe përcaktoi qartë përgjegjësitë e organeve shtetërore, ndërsa zgjeroi grupet e marra në mbrojtje nga dhuna.
Anila ndihet e kërcënuar nga bashkëshorti, pasi prej kohësh dhunohej me çdo formë, derisa u largua nga shtëpia dhe u paraqit në polici.
“Nuk mund të vazhdoja dot më, kam jetuar e dhunuar fizikisht, psikologjikisht prej më shumë se 10 vitesh,” tha ajo. Bashkëshorti më ka kërcënuar me jetë, veçanërisht kur ishte i pirë,” shtoi Anila.
Pasi, gruaja e re paraqiti kërkesën në komisariat, ka qenë policia që e ka përcjell çështjen në gjykatë për “urdhër mbrojtje të menjëhershme”, dhe bashkëshorti 42 vjeç është urdhëruar sipas ligjit që të mos cënojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi me gruan apo pjesëtarë të familjes së saj.
Mimoza Karame, Koordinatore për të Drejtën e Informimit në Gjykatëne Lushnjes, i tha BIRN se pas çështjeve të divorceve dhe paditë civile për largimet nga puna, çështjet me objekt “lëshim urdhër mbrojtje” renditen ndër kryesoret në këtë gjykatë.
“Për vitin 2018, 160 çështje me objekt “lëshim urdhër mbrojtje” ka gjykuar kjo gjykatë dhe paditë kanë ardhur nga vetë gratë nëpërmjet avokatëve, personalisht dhe nga Komisariati i Policisë së Lushnjes”, tha Karame.
Në dy vitet e fundit komisariati i policisë Lushnje ka pasur rritje të numrit të kërkesave për urdhër mbrojtje, duke u renditur pas Fierit si bashki.
“Nga ana e Komisariatit të Policisë Lushnje janë plotësuar 51 kërkesë-padi për tu pajisur me urdhër mbrojtje gjatë vitit të kaluar dhe në krahasim me komisariatet e tjera të DVP Fier, Komisariati i Lushnjes renditet i dyti, ku Komisariati Fier ka 150 kërkesa, Komisariati Divjakë 41 dhe Komisariati Mallakastër 9 raste”, tha për BIRN Egiselda Doko, Ndihmës Specialiste në Drejtorinë Vendore të Policisë në Fier.
Në ndryshim me vitin 2017 ku në total si qark ka pasur 200 kërkesë-padi për tu pajisur me urdhër mbrojtje, në vitin 2018 ky numër është rritur me 51 kërkesa më shumë.
“Në të gjithë vendin për vitin 2018 janë lëshuar 3037 kërkesa padi për lëshim të “urdhrit të mbrojtjes”, dhe Qarku Fier renditet i pesti”, raportoi për BIRN Gentian Mullai, Shef Sektori i Komunikimit me Median dhe Publikun në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Njëri nga këto 3037 kërkesa është dhe ai i Anilës nga Lushnja, e cila tregon për një marrëdhënie të vështirë me bashkëshortin, të diktuara dhe kushtet e këqija ekonomike.
“Bashkëshorti im punonte si kamarier në një lokal afër shtëpisë, por siç e merrte pagën e prishte për të pirë në lloto dhe të ardhurat e vetme që na ngeleshin ishte paga ime si rrobaqepëse në një fasoneri,” tregon Anila.
“Dita që merrja pagën ishte një ditë ferri për mua, sepse sapo dilja nga banka burri më priste afër shtëpisë, më merrte një pjesë të pagës, pinte gjithë natën dhe kur kthehej në shtëpi zihej me mua, më ofendonte, më ka rrahur, por dhe më ka kërcënuar për jetën.” thotë Anila.
E vendosur të divorcohet nga bashkëshorti, Anila nuk i trembet sfidave që i kanë vënë përpara jeta.
“Unë jam mësuar të punojë sepse e vetme kam mbajtur familjen, pasi sapo nisi pijen burrin e hoqën nga puna dhe që atëherë ai ndryshoi krejtësisht,” kujtoi ajo. “Unë isha e vetmja që siguroja të ardhurat që tani më duhen jo vetëm për të mbajtur fëmijët por dhe për gjyqin e divorcit,” shtoi Anila.
Problemet e mprehta social-ekonomike me të cilat përballet kjo kategori grash i pranojnë dhe avokatët mbrojtës në këtë qytet. Kozma Jano, një nga avokatët më të vjetër dhe njëkohësisht Kryetar i Dhomës së Avokatëve në Lushnje, shprehet se ka ndjekur raste të shumta dhe prej tyre ka kuptuar se institucionet duhet të bëjnë më shumë për gratë e dhunuara.
“Çështjet me objekt “urdhër mbrojtje” për ne avokatët po bëhen të zakonshme, pasi çdo ditë regjistrohen raste, por problematikat më të cilat ato hasen janë të mëdha,” tha Jano.
“Një grua fiton urdhër mbrojtje, por nuk ka një strehë ku të shkojë. Një grua nis procesin e divorcit, por nuk e përballon dot financiarisht, pasi asgjë si afrohet falas, as avokati, as psikologu, madje ka raste që gruaja vihet në rrezik të mos përfitojë asgjë nga divorci, sepse kultura është që bashkëshorti rezulton pronar i vetëm i banesës apo pasurisë që mund të kenë vënë sëbashku,” përfundoi ai.
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?
Drenusha- Rovenës: Ti doje të kishe diçka me Atillën, edhe m...
Krasniqi-kreut të SBASHK’ut: Sfidave të mësimdhënësve iu vje...
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit