Interi gabon në Sardegna, mposhtet nga Cagliari

22:30 | 1 Mars 2019
Arbresh Info

Presioni ndaj trajnerit Luciano Spalleti vazhdon të rritet pas disfatës tronditëse mbrëmjen e sotme (e premte).

Interi është mposhtur në stadiumin Sardegna Arena nga Cagliari me rezultat të ngushtë 2 me 1 në takimin e zhvilluar në kuadër të xhiros së 26-të në Serie A, shkruan portali arbresh.info.

Pas barazimi 3 me 3 kundër Fiorentinas në vikend, “Nerazzurrët” kanë humbur sërish pikë duke rrezikuar pozitën e tyre në tabelën e kampionatit kryesor në Itali për shkak të disfatës këtë mbrëmje.

Nikoqirët kaluan në epërsi në minutën e 31′ të ndeshjes duke shënuar me anë të Luca Ceppitellit, por shifrat u barazuan vetëm shtatë minutave më vonë nga Lautaro Martinez që shënoi me kokë për 1 me 1.

Mirëpo, skuadra nën udhëheqjen e trajnerit Rolando Maran kaloi sërish në avantazh ende pa u mbylluar pjesa e parë e takimit duke realizuar për 2 me 1 me anë të Leonardo Pavolettit.

Fraksioni i dytë i ndeshjes krijoi raste mjaftë të bukura, por shifrat mbetën të pandryshuara ndonëse në minutat e vonë të ndeshjes nikoqirët fituan një goditje nga pika e bardhë por që Nicolo Barela nuk u tregua i saktë me goditjen e tij.

Interi vazhdon qëndrimin në pozitën e tretë me 47 pikë, vetëm dy më shumë se AC Milani në pozitën e katërt, ndërsa Cagliari qëndron në pozitën e 14-të me 27 pikë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme