Incidenti në tribuna gjatë ndeshjes në Kupë të Kosovës, shtatë të arrestuar

21:38 | 1 Mars 2019
Arbresh Info

Rahoveci shkroi historinë mbrëmjen e sotme (e premte) në basketbollin e Kosovës.

Kaltërebardhët u kualifikuan për herë të parë në finale të Kupës së Kosovës duke mposhtur me rezultat të ngushtë 88:77 skuadrën e Ponte Prizrenit, shkruan portali arbresh.info.

Mirëpo, gjërat jashtë fushës nuk shkuan siç ishin planifikuar dhe kjo ka detyruar Policinë e Kosovës për të intervenuar me ç’rast ata kanë arrestuar shtatë persona.

Policia e Kosovës, e cila kishte pranuar kërkesën nga FBK-ja dhe klubi i basketbollit të Rahovecit për të bërë sigurimin e kësaj ndeshje, arrestoi shtatë të dyshuar pas një incidenti që ndodhi mes shikuesve në tribuna.

Sipas njoftimi të tyre, dy zyrtarë policor kanë pësuar madje lëndime të lehta trupore gjatë intervenimit./arbresh.info/

Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës:

Policia e Kosovës ka pranuar kërkesën nga FBK-ja dhe po ashtu nga klubi i basketbollit të Rahovecit, për të bërë sigurimin e lojës së basketbollit që do të zhvillohej sonte (01.03.2019) në qytetin e Rahovecit.

Policia ka përgatitur planin operativ dhe ka ndërmarrë masat e duhura për mbarëvajtjen e ndeshjes sportive në kuadër të “Euroing Kupa e Kosovës – Final 8”.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes ka filluar një incident mes shikuesve në tribuna, kjo ka bërë që policia të intervenojë dhe të arrestojë shtatë (7) të dyshuar. Gjatë intervenimit dy policë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Të arrestuarit janë intervistuar dhe më pas me aktvendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës, apelon tek të gjithë sportdashësit, shikuesit në palestra,  që të kenë sjellje dinjitoze dhe sportive, në të kundërtën policia në të gjitha rastet ku do të ketë huliganizëm dhe forma tjera të palejuara, do të intervenojë dhe në bashkëpunim me organet e drejtësisë si në këtë rast, do merren masat adekuate ligjore ndaj atyre që shkaktojnë skena të tilla të padëshiruara.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme