Koreja e Veriut mohon Trumpin: Kërkuam heqje të pjesshme të sanksioneve

10:52 | 1 Mars 2019
A. B.

Koreja e Veriut ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, sipas të cilit vendi komunist ka kërkuar heqjen e plotë të sanksioneve gjatë samitit të dështuar në Hanoi.

Ministri i Jashtëm e Veriut, Ri Yong-ho ka folur për mediet pas bisedimeve mes presidentit amerikan dhe udhëheqësit të Koresë, Kim Jong-un, bisedime që përfunduan pa marrëveshje.

Sipas këtij të fundit, koreano-veriorët kanë kërkuar lehtësim të pjesshëm të sanksioneve në këmbim të çmontimit të kompleksit kryesor bërthamor. Megjithatë Shtetet e Bashkuara këmbëngulin për të kundërtën.

Pas dështimit të bisedimeve, Trump tha se Kim i kishte ofruar atij çmontimin e kompeksit Yongbyon, mjediset kërkimore dhe prodhuese në qendër të programit bërthamor të Koresë së Veriut, gjë që u konsiderua një propozim domethënës. Por, në këmbim Kim kërkoi heqjen e të gjitha sanksioneve, diçka për të cilën Shtetet e Bashkuara nuk ishin përgatitur ta ofronin në tryezë, siç u shpreh Trump.

Por, në konferencën e orëve të vona pas samitit të së enjtes, Ri Yong-ho tha se vendi i tij kishte bërë propozime “realiste”, përfshi edhe çmontimin e plotë të kompleksit Yongbyon, nën monitorimin e mbikëqyrësve amerikanë.

“Ky propozim ishte edhe masa më e rëndësishme për denuklearizimin që ne mund të merrnim në këtë fazë, duke marrë parasysh edhe nivelin aktual të besimit mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ai. “Në këmbim – shtoi Ri, – Veriu kërkoi heqjen e pjesshme të sanksioneve që rëndojnë kryesisht mbi ekonominë e qytetarëve dhe jetesën e popullit tonë”.

Më tej, ai u tha reporterëve se Peniani kishte ofruar gjithashtu ndalimin e përhershëm të testeve bërthamore dhe ato të raketave me rreze të gjatë veprimi, përpara se të theksonte se, ndoshta mund të jetë e vështirë të kërkohet një mundësi tjetër e tillë, si ajo e samitit të Hanoit.

“Qëndrimi ynë parimor do të mbetet i pandryshuar dhe propozimet tona nuk do të ndryshojnë kurrë, edhe nëse Shtetet e Bashkuara propozojnë negociata të tjera në të ardhmen”, tha ai.

Por, në konferencën e tij të passamitit, Trump tha se “e gjitha ishte për shkak të sanksioneve. Ata donin të hiqnim të gjitha sanksionet, gjë që ne nuk mund ta bëjmë. Ndonjëherë ti thjesht duhet të ngrihesh e të largohesh, e ky ishte një nga ato raste”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme