Policia rekruton 100 forca komando ushtarak

19:43 | 28 Shkurt 2019
Arbresh.info

Policia e Shtetit do të rekrutojë në radhët e saja 100 ushtarakët e parë. Ata do të jenë nga radhët e forcave komando të ushtrisë dhe do të punësohen në Policinë e Shtetit për të ndihmuar uniformat blu ndoshta në një nga sektorët e saj më të rëndësishëm siç janë forcat speciale.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka nxjerrë një udhëzim ku përcakton kriteret dhe procedurat e pranimit në Policinë e Shtetit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura. Në pikën 1 të këtij udhëzimi përcaktohet se përzgjedhja e ushtarakëve të Forcave të Armatosura për pranim në strukturat e veçanta të Policisë së Shtetit do të bëhet në batalionin “Komando”, sikurse përcaktohet në nenin 5, të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Kriteret e pranimit të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për plotësimin e nevojave të veçanta në Policinë e Shtetit, në rolin zbatues, janë ato të përcaktuara në nenin 38 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, ndërsa ky udhëzim përcakton edhe disa kritere të veçanta. Më konkretisht ushtaraku duhet të jetë i moshës deri 32 vjeç, të ketë gjatësi trupore mbi 175 cm, të ketë kualifikime e trajnime të posaçme që lidhen me funksionin dhe të ketë vlerësime të nivelit shkëlqyer ose shumë mirë, për 2 vitet e fundit të shërbimit në Forcat e Armatosura. Ndërkohë që funksionet policore që do të plotësohen nga ushtarakët e përzgjedhur nga Forcat e Armatosura do të përcaktohen nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mbi bazën e nevojave në strukturat e veçanta të Policisë së Shtetit.

Gjithsesi pranimi i ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për plotësimin e nevojave të veçanta, në Policinë e Shtetit, do realizohet nëpërmjet një procesi konkurrimi, i cili shpallet me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Konkurrimi zhvillohet në dy faza: a) verifikimi paraprak, i cili ka për qëllim të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta;

b) vlerësimi i kandidatëve. Në vlerësimin e kandidatëve përfshihet vlerësimi i dokumentacionit të çdo kandidati, me qëllim vlerësimin e arsimimit, trajnimeve e kualifikimeve, arritjet konkrete dhe përvojën e shërbimit në Forcat e Armatosura, si dhe vlerësimet individuale të punës. Gjithashtu, zhvillohet edhe intervista e strukturuar, me qëllim për të vlerësuar logjikën, saktësinë dhe rrjedhshmërinë e të folurit, aftësinë e orientimit e të reagimit për situata të ndryshme, ndjeshmërinë njerëzore për problematikat sociale, kuptimin e rrezikut dhe si i ka përballuar ngarkesat psikologjike në çastet më të dhimbshme të jetës së tij apo në situata kritike. Gjithashtu, ushtarakët i nënshtrohen edhe një testi fizik si dhe atij të qitjes me armë. Në përfundim të procesit të verifikimit përfundimtar të kandidatit, bazuar në relacionin e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit nxjerr urdhrin për pranimin në Policinë e Shtetit, emërimin në detyrë dhe dhënien e gradës policore në përputhje me vendimin nr. 79, datë 20.2.2019, të Këshillit të Ministrave “Për ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me gradat e Policisë së Shtetit” dhe funksionit ku emërohet.

Grada “Kolonel” në ushtri barazohet me gradën “Drejtues i parë”
Vendimi, ja si ekuivalentohen gradat ushtarake me ato të policisë

Pak ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ekuivalentimin e gradave ushtarake me ato në Policinë e Shtetit. Bëhet fjalë për një vendim që ka vlerë vetëm për rastin e rekrutimit të ushtarakëve në radhët e policisë, në mënyrë që ata të gëzojnë të njëjtat grada dhe të mos humbasin karrierën e tyre ushtarake. Sipas këtij vendimi grada “Kolonel” në ushtri ekuivalentohet me gradën “Drejtues i parë” në polici, grada “Nënkolonel” ekuivalentohet me gradën “Drejtues” në polici, grada “Major” me gradën “Kryekomisar”, grada “Kapiten” me gradën “Komisar” dhe grada “Toger” me gradën “Nënkomisar”. Kjo sa i përket gradave drejtuese. Ndërkohë që sa i përket gradave të nivelit zbatues grada “Kryekapter” dhe “Kapter” me gradën “Inspektor i parë”, grada “Rreshter”, “Tetar” dhe “Nëntetar” me gradën “Inspektor i dytë” dhe “Ushtar” barazohet me “Inspektor”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme