Një jetë e gjatë pedagogjike në fushën e mjekësisë dhe organizator i subjekteve të ndryshme që lidhen me kardiologjinë. Ku mendoni se është më i spikatur roli juaj?
Unë kam filluar aktivitetin tim në vitin 1965, në katedrën e Propedeutikës duke u marrë me procesin pedagogjik si dhe me atë mjekues te të sëmurët me sëmundje të brendshme (që ka qenë një avantazh për të ardhmen, sepse u angazhova në diagnostikimin dhe mjekimin e të sëmurëve me sëmundje të larmishme dhe jo ngushtësisht të specialitetit). Më pas, në vitet 1970 u angazhova plotësisht në fushën e kardiologjisë, duke pasur si mësues të mi prof. Nikolla Shurbanin e prof. Ylli Popën. Në këtë vit u angazhova edhe me studimet hemodinamike së bashku me kolegët të tjerë F.Meksi, M.Vullkaj e S. Berisha, me ndihmën e çmuar të një ekipi kinez kardiologësh e kardiokirurgësh, që drejtuan një kurs njëvjeçar specializimi në hemodinamikë. Pas përfundimit të specializimit në Paris për reanimacionin e zemrës në vitin 1974 (në një nga klinikat pararojë të kësaj fushe nën drejtimin e prof. Bouvrain), u angazhova në zbatimin e metodave moderne të reanimacionit të zemrës, si goditja e jashtme elektrike e zemrës dhe stimulimi elektrosistolik i saj në të sëmurët me infarkt akut të miokardit, duke krijuar premisa për krijimin e qendrës së parë të reanimacionit kardiologjik në vitin 1976. Pas këtij viti, i jam kushtuar me te gjitha mundësitë zgjerimit dhe modernizimit të këtij shërbimi për dekada deri sa dola në pension.
A mund të na thoni diçka për familjen tuaj?
Ju faleminderit për pyetjen, sepse me këtë rast dëshiroj të kujtoj me shumë respekt e mirënjohje prindërit e mi. Nënën dhe babain, të cilët më kanë edukuar me ndjenjën e punës, si dhe për sakrificat që ata bënë për të rritur dhe shkolluar tre fëmijë, mua, motrën dhe vëllain, duke na bërë krenarë për gjithçka kemi arritur gjatë jetës sonë, duke justifikuar kështu sakrificat e tyre. Një vend të veçantë zë ime shoqe, Aleksandra, me të cilën para 1 viti festuam 50-vjetorin e martesës dhe që vlerësoj se pa ndihmën e saj të vazhdueshme dhe të pakursyer ndër vite, nuk do të kisha arritur qëllimet që i kisha vënë vetes në fushën e vështirë profesionale. Unë jam i lumtur që kam dy vajza, të cilat kanë krijuar familjet e tyre.
Vajza e madhe, Loreta, që është mjeke specialiste gastroenterologe, profesore në mjekësi, që aktualisht punon pranë Istituto Superiore di Sanita në Romë, me rezultate inkurajuese, gjë që me bën krenar. Ajo ka dy fëmijë, Andrein dhe Aleksandrën që uroj të ndjekin rrugën e saj dhe të të shoqit. Vajza e vogël, Etleva, e cila më ka dhënë gjithmonë kënaqësi, së bashku me të shoqin, por sidomos me fëmijët, Xhimin që studion për mjekësi në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Kristin, i cili vazhdon studimet në vitin e parë të Fakultetit të Stomatologjisë tek UMT, që të dy me rezultate të shkëlqyera.
Pse zgjodhët pikërisht Mjekësinë për formimin tuaj?
Shkaku i kësaj zgjedhjeje ka qenë sëmundja e rëndë e zemrës së babait tim , i cili vuajti shumë dhe vdiq në moshë të re. Kështu, vendosa të studioja mjekësi për të ndihmuar sa më tepër njerëzit me sëmundje të zemrës dhe më gjerë.
Si ishte niveli i mjekësisë shqiptare në kohën e shkollimit tuaj?
Është e kuptueshme që mjekësia e asaj kohe ka qenë me kufizime të shumta, sikurse edhe në vendet e përparuara. Vetëm në vitet më pas, me zhvillimin e shkencave të tjera, si elektronika, kimia, fizika etj., mori zhvillim të madh edhe shkenca mjekësore, sikurse në të gjithë botën, ashtu edhe tek ne. Megjithatë, në atë kohë, kur kam filluar punën, ka pasur mjekë të talentuar, si të thuash kolosë të mjekësisë sonë që me dijet, kulturën dhe përpjekjet e tyre kompensonin mungesat e zhvillimit teknologjik. Kështu, mund të përmenden profesorët e parë Petro Cani, që ka realizuar të gjitha llojet e operacioneve; Fejzi Hoxha, që studioi strumën endemike. Selaudin Bekteshi i Pediatrisë, Koço Gliozheni i Obstetrikë Gjinekologjisë, Xhavit Gjata, Besim Zyma, Kristo Kristidhi, Nikolla Dyshniku, Kadri Kërçiku, Nikolla Shurbani, Ylli Popa, Josif Adhami, Bajram Preza, Ylvi Vehbiu, Përparim Tepelena, Pëllumb Bitri e shumë profesorë të tjerë të nderuar, të cilët drejtuan katedrat e Fakultetit të Mjekësisë, që u hap 7 dekada më parë, për të plotësuar nevojat që kishte vendi për kuadro mjekësorë.
Si ka qenë përballja e parë me punën?
Punë e palodhur, pa orar, me shumë dashuri dhe me shumë ndihmë nga konsultat me kolegët, që kanë qenë të pakursyera, me një devotshmëri të paparë që të imponon nostalgji.
Si ishte organizimi i mjekësisë tonë në vitet ’60? A kishin ndonjë model të caktuar organizatorët e saj?
Në vitet ’60 organizimi i shkollës ka qenë ai i modelit rus (në fillim ka pasur në çdo katedër konsulentë rusë). Megjithatë, për shkak se shumë drejtues departamentesh kishin studiuar dhe ishin formuar në perëndim (Itali, Francë, Austri, etj.), ata kanë rrezatuar edhe kulturë perëndimore. (Mjafton të shohësh fotot e asaj kohe, do të vëresh paraqitje moderne të këtyre personaliteteve).
Ju vetë keni ngritur Njësinë (Shërbimin) Koronar Intensiv të Departamentit të Kardiologjisë. Çfarë infrastrukture kishte deri atëherë për këtë qëllim në vendin tonë?
Një pyetje që më ngjall shumë emocione, sepse puna ime mjekësore ka qenë e lidhur ngushtësisht me organizimin e reanimacionit të kardiologjisë. Ajo filloi në kuadër të klinikës së parë të kardiologjisë, ku u ndanë 3 dhoma për këta të sëmurë, në vitin 1976, duke përdorur një monitor kompleks të dhuruar nga dr. Adem Harxhi, drejtor i spitalit të Gjirokastrës dhe më pas me organizimin e qendrës moderne të reanimacionit me 8 shtretër në vitin 1980 dhe me rikonstruksionin edhe zgjerimin e saj disa herë në vitet në vazhdim. Përpara vitit 1976, shërbimi i kardiologjisë kishte vetëm pavionë ku mjekoheshin të sëmuret me medikamente dhe sipas indikacioneve me ndërhyrje kirurgjikale. Vetëm në vitin 1974, pasi u ktheva nga specializimi në Paris, arrita të zbatoj goditjen e jashtme elektrike të zemrës, stimulimin e përkohshëm dhe definitiv të zemrës me pacemaker si dhe zbatimin e protokolleve moderne të mjekimit të aritmive dhe të sëmundjes ishemike të zemrës.
Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria bëri hapa të mëdhenj për të zhdukur disa sëmundje që ishin të rrënjosura. A mund të na thoni diçka lidhur me këto përpjekje?
Pas Luftës së Dytë Botërore janë bërë përpjekje të mëdha për të luftuar sëmundjet problematike të kohës, duke arritur rezultate shumë inkurajuese si psh. në luftën kundër malaries, kundër sëmundjeve veneriane, sëmundjeve infektive nëpërmjet vaksinimeve të rregullta, kundër formave të renda të tuberkulozit, kundër strumës endemike, kundër luksacioneve koksofemorale etj..
Ju vetë keni një jetë akademike të gjatë dhe të pasur, që është e certifikuar me të gjitha njohjet. Si e keni ndarë jetën mes mësimdhënies dhe aktivitetit direkt me të sëmurët?
Unë kam një aktivitet pune mbi 50-vjeçare, i ndërthur ngushtësisht aspekti pedagogjik (pedagog nga viti 1965) me atë mjekues të të sëmurëve, duke ndikuar pozitivisht te njeri-tjetri.
Në konceptin tuaj, a e ka përmbushur Universiteti i Mjekësisë si duhet ndarjen nga Universiteti i Tiranës. A mundet tashmë që procesi mësimor dhe vetë pedagogët të kenë hapësira më të mëdha?
Nuk mund të jap një mendim të saktë për këtë pyetje, sepse kur u bë kjo ndarje, unë i kisha shkëputur marrëdhëniet me Fakultetin e Mjekësisë për shkak të pensionit, por shpresoj që të ketë qenë me ndikim pozitiv.
A ishte normal largimi juaj, pas të gjithë asaj përvoje të gjatë?
Kjo është një pyetje që ia kam bërë shpesh edhe vetes dhe më vjen keq që të pohoj se shkëputja ime nga qendra spitalore besoj se ka ndikuar jo për mirë si në aspektin pedagogjik, edhe në atë mjekësor. Është mëkat që përvojën 50-vjeçare në frontin më të vështirë të urgjencave të zemrës, që zënë vendin e parë në vdekshmëri, ta largosh nga kontributi konkret duke e arkivuar atë. Kjo sigurish ka ndikuar edhe në mostransmetimin e kësaj përvoje të pasur te studentët dhe mjekët e rinj, sidomos kardiologë, të cilët kanë gjithmonë nevojë për këtë. Megjithatë, unë jam përpjekur ta transmetoj përvojën time me anën e botimeve, që shpresoj të kenë qenë të dobishme për studentët dhe stafin mjekësor.
Jeni akademik dhe një nga njerëzit që jeni marrë me procesin e reformimit të Akademisë së Shkencave. Si mund të reformohet Akademia në konceptin tuaj?
Pas shkëputjes së Instituteve nga Akademia, kuptohet që aktiviteti i saj u limitua, duke kontribuar kryesisht me botime dinjitoze të anëtarëve të saj të nderuar ndër vite. Mendoj se në kushtet e reformimit të Akademisë, roli i anëtarëve të saj duhet të shtrihet nëpërmjet konsulencës së tyre pranë dikastereve përkatëse, të cilat drejtohen nga kuadro relativisht të rinj, që në mënyrë të kuptueshme kanë nevojë për përvojën dhe mendimet e personaliteteve që janë thinjur duke punuar në ato fusha, si në mjekësi, hidroenergjitikë, bujqësi, inxhinieri, albanologji, etj.
Zakonisht staturat në profesionet e ndryshme lidhen edhe me kontribute sociale. Juve jeni një mësues i mirë, profesionist dhe aktivist social i shquar. Për publikun shqiptar nuk do të harrohet kurrë mesazhi kurajoz publik që dhatë në ngjarjet e vitit 1997 për qetësimin e njerëzve dhe kthimin e normalitetit. A e risillni shpesh këtë në mendje?
E kam për nder që në një moment të veçantë të jetës së popullit tonë, në një moment tejet të vështirë, munda të jap kontributin tim nëpërmjet TVSH-së për të qetësuar situatën, gjë që pati një impakt pozitiv. Kjo thirrje u bë për motive shoqërore dhe jo politike, sepse pas saj, unë i jam rikthyer plotësisht punës sime pedagogjike e mjekuese. Këtë moment e kujtoj jo rrallë, por më shpesh ma kujtojnë dhe vlerësojnë shumë njerëz deri në ditët e sotme, gjë që më jep kënaqësi të veçantë.
Ju keni edhe shumë botime profesionale, që me kohë kanë shërbyer për edukimin e brezave të tërë. A mendoni se i keni plotësuar pritshmëritë tuaja?
Aktiviteti im pedagogjik dhe mjekues që në fillimet e tij është pasqyruar në botime shkencore, artikuj e punime të publikuara brenda e jashtë vendit. Ndër të tjera, jam autor e bashkautor i disa teksteve mësimore, si edhe i katër monografive, që i kam shumë për zemër, sepse janë pjesë e aktivitetit shkencor të bazuar në materialet dhe përvojën tonë. Një ekstrakt i punimit tim për fibrilacionin atrial u pranua për t’u paraqitur në Kongresin Amerikan të Kardiologjisë në vitin 1995, ku edhe u vlerësua pozitivisht si aty, ashtu edhe më vonë. Aktiviteti im shkencor dhe pedagogjik numëron rreth 388 referenca, të cilat sigurisht që ndikojnë për mirë në ngritjen profesionale të brezave të rinj të studentëve, mjekëve internistë dhe atyre kardiologë. Jam i kënaqur me këtë aktivitet, por kuptohet që dëshira është për më shumë, gjë që paraqitet edhe si një sfidë për vitet në vazhdim.
Jeni një profesionist, që jeni integruar me zhvillimet më të larta profesionale në botë, pasi jeni anëtar i shumë forumeve dhe strukturave, bashkë me titujt respektivë. Çfarë do të thotë kjo për ju vetë edhe mjekësinë tonë?
Gjatë jetës sime profesionale jam bërë pjesë e organizmave të ndryshme ndërkombëtare, që nga shoqata europiane e kardiologjisë, shoqata amerikane e kardiologjisë, shoqata euroaziatike dhe më gjerë, të cilat sigurisht kanë qenë një nder për mua e rrjedhimisht për mjekësinë tonë.
Nga çfarë vuan sot sistemi mjekësor shqiptar?
Mendoj se duhet bërë një punë më e mirë për parandalimin e sëmundjeve, për futjen e metodave moderne të mjekimit dhe shtrirja e tyre në qytetet kryesore të vendit, si dhe plotësimi me kuadro mjekësore i të gjitha rretheve të vendit. Është e nevojshme një koordinim më i mirë i aktivitetit të institucioneve publike shëndetësore me ato private, e sidomos në angazhimin e kuadrit të lartë, për të mos abuzuar në këtë drejtim, për më tepër tani që është i pranishëm edhe fenomeni i emigrimit të kuadrit të lartë dhe të mesëm mjekësor.
A ju duket e tepruar propaganda që bëhet në ditët e sotme me mjekësinë?
Propaganda mjekësore në ditët e sotme, mendoj se nuk duhet fokusuar kryesisht tek aktivitetet e spitaleve private, por duhet të jetë më i pranishëm informacioni, me të cilin duhet të pajiset popullsia e të gjithë vendit, në radhë të parë në drejtimin profilaktik të sëmundjeve.
A bëni dot një identikit mjekësor të homos albanicus?
Për të përshkruar njeriun shqiptar, besoj se është e mjaftueshme të përmendim që një popullsi modeste në rrafshin evropian dhe botëror ka nxjerrë nobelistë, si Ferit Muratin, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë dhe dhjetëra personalitete botërore të artit, kulturës dhe më gjerë, të cilët na bëjnë krenarë dhe dëshmojnë për kapacitetet potenciale që përmban gjeni shqiptar i përhapur në të gjithë botën.
Si është një dita juaj e zakonshme?
Mëngjesi me aktivitetin pedagogjik pranë “Albanian University”, ndërsa pasdite, pranë kabinetit tim kardiologjik për konsultime të pacientëve me sëmundje të zemrës.
Çfarë do të donit të bënit më shumë?
Dëshirat janë pa fund, por do të kënaqesha nëse do të shkruaja një libër praktik për urgjencën kardiovaskulare, që do t’u shërbente si studentëve të viteve të larta të Fakultetit të Mjekësisë, ashtu edhe mjekëve të familjes dhe të shërbimit të urgjencës./GSH/
Alex Iwobit iu zbulua dikur paga në internet dhe kishte shif...
Tentohet të vidhet banka në Korçë, policia në vendin e ngjar...
Aksident te Dheu i Bardhë, lëndohen shtatë persona
Pacolli për sulmin në Gjermani: Këta njerëz që ndryshojnë fe...
Sistemi i ri për mbrojtjen nga raketat, përforcon krahun lin...
Blerësit ankohet për çmimet, tregtarët: Ka vështirësi në fur...