Google ADS

PSD: Nuk e votojmë rrëzimin e Qeverisë për shkak të taksës

15:42 | 28 Shkurt 2019
Arbresh.info

Pavarësisht përçarjeve të thella mes partnerëve të koalicionit qeverisës kryesisht për shkak të taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, rrëzimi i qeverisë “Haradinaj” dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare aktualisht duket si një “mision i pamundur” për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Ajo është edhe partnerja më e madhe e koalicionit qeverisës dhe po kërkon të pezullohet taksa ndaj mallrave serbe, duke u thirrur në rekomandimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA-së), por që një kërkesë e tillë po refuzohet nga kryeministri Haradinaj, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka thënë për “Zërin” se do të votojnë pro cilësdo arsye që rrëzohet Qeveria përpos për taksën e vënë ndaj produkteve serbe.

“Ne kemi qenë të gatshëm të votojmë për rrëzim të Qeverisë dhe i kemi dhënë nënshkrimet tona për këtë gjë, por kur të bëhet një mocion mosbesimi për Qeverinë përcaktohet arsyeja pse duhet që ajo qeveri të rrëzohet. Ne pranojmë çfarëdo arsye tjetër, si keqqeverisjen, moszhvillimin e vendit e kështu me radhë, por nuk do ta votojmë atë mocion i cili si arsye kryesore për rrëzim të Qeverisë e ka largimin e taksës 100%, sepse mendojmë që është njëri prej vendimeve më të drejta që ka marrë kjo Qeveri”, ka potencuar Pantina.

Sipas deputetes së PSD-së, partitë në pushtet kanë më shumë mundësi ta dërgojnë vendin në zgjedhje sesa opozita.

“Mundësitë për ta çuar vendin në zgjedhje i kanë më shumë partitë që janë në koalicion qeverisës sesa vetë opozita”, ka theksuar ajo.

Ndërkohë Pantina vlerëson se shkuarja në zgjedhje po diskutohet në medie, por jo edhe në organet e partive të vendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme