Google ADS

Presidenca: Ekipi Negociator shprehë gatishmërinë për respektimin e këshillës së SHBA-së për suspendimin e taksës

12:56 | 28 Shkurt 2019
arbresh.info

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pasur një takim të përbashkët me drejtorin kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Erath, drejtorin për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley, si dhe me Ekipin Negociator të Kosovës, përkatësisht me zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Dardan Gashi dhe me kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmeti.

Në këtë takim është biseduar për procesin e dialogut përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet e këtij procesi dhe tejkalimin e pengesave aktuale, duke përfshirë këshillat e SHBA-së për domosdoshmërinë e suspendimit të përkohshëm të taksës dhe rifillimin e dialogut, si dhe për shtimin e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Ishte konstatim i përbashkët se marrëveshja duhet të jetë përfundimtare me njohje reciproke.

Po ashtu, presidenti Thaçi edhe në takimin e sotëm ka ripërsëritur qëndrimin se me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë speciale me SHBA-në.

Të gjithë anëtarët e Ekipit Negociator kanë shprehur shqetësimin për veprimet agresive të Beogradit, por në të njëjtën kohë kanë shprehur edhe gatishmërinë e tyre për respektimin e këshillës së SHBA-së për suspendimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme