Google ADS

Anëtarësimi i vendit në KE mbetet ndër prioritetet e MPJ të Kosovës

10:28 | 28 Shkurt 2019
Arbresh.info

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mbetet një nga prioritetet e politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme thonë se Kosova i plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim, duke mos përjashtuar mundësinë që aplikimi të bëhet edhe këtë vit. Ndërkohë zyrtarë të Këshillit të Evropës thonë se arritja e marrëveshjes Kosovë -Serbi, krijon situatë të re dhe mundësi për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Në një të ardhme të afërt Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thonë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Fatmir Haxholli këshilltar i ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, tha për Radio Kosovën se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe janë krijuar kushtet për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm, duke mos përjashtuar që ky proces mund të ndodhë sivjet.

“Jemi në rrugë të mirë për t’u anëtarësuar në Këshillin Evropës dhe kjo do të ndodhë. Se a do të bëhet kërkesa këtë vit apo vitin e ardhshëm kjo është çështje e diskutueshme, sepse tashmë kemi edhe një proces të aplikimit në Interpol dhe duhet të menaxhojmë sa më mirë kapacitetet tona diplomatike dhe interesin tonë lobues. Pra ne nuk duhet të zgjerohemi shumë, por nuk përjashtohet mundësia që edhe këtë vit të parashtrohet kërkesa, sepse janë plotësuar të gjitha parakushtet e nevojshme”, tha ai.

Haxholli nuk e përjashton mundësinë që rezultati i anëtarësimit në Këshillin e Evropës mund të jetë edhe i lidhur me arritjen e marrëveshjes me Serbinë, por nuk e sheh si kusht për anëtarësim:

“Ju e dini se jemi në procesin e dialogut, i cili kulmon me atë çfarë pritet nga komuniteti ndërkombëtar, atëherë anëtarësimi në këtë dhe në disa organizata tjera kthehet në çështje krejt procedurale, gjë që për momentin nuk është, sepse është edhe çështje politike në nivel ndërkombëtarë, sepse disa vende hezitojnë ta pranojnë afirmimin e Kosovës si shtet në instancat globale”, tha ai.

Meqë një ndër qëllimet e Këshillit të Evropës është ngritja e besimit midis shteteve e popujve dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, avokati i popullit Hilmi Jashari thotë për Radio Kosovën se problemet e përditshme në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë, kanë të bëjnë sidomos në funksionimin e sistemit.

“Problemet janë me funksionimin e tri shtyllave të pushtetit, legjislativit, ekzekutivit dhe sistemit gjyqësor, për ketë ne kemi telashe të mëdha sepse kanë të bëjnë me mospërputhje të standardeve ndërkombëtare që zbatohen për këto sisteme. Sa i përket sistemit gjyqësor është evidente që gjykatat ende nuk arrijnë të sigurojnë një standard dhe gjykim të drejtë, që paraqet problem të vazhdueshëm të këtij sistemi në Kosovë, ndërsa te sistemi ligjor procesi më i madh i hartimit të ligjeve ka të bëjë me plotësim-ndryshimin e tyre dhe jo me kualitetin e këtyre ligjeve, që pengojnë pastaj zbatimin e drejtpërdrejtë nga ana e ekzekutivit. Kurse të ekzekutivi si problem kyç mbetet papërgjegjshmëria e autoriteteve publike karshi qytetarëve”, tha ai.

Ndërkohë ditë më parë sekretari i kësaj organizate, Torbjorn Jagland, ka thënë se Prishtina e Beogradi duhet të arrijnë një marrëveshje mes vete më shpejt, pasi një gjë e tillë do t’i ndihmonte Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, e në radhë të parë në Këshillin e Evropës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme