ProCredit Bank heshtë rreth ikjes së klientëve

08:06 | 28 Shkurt 2019
Arbresh.info

Për rreth 20 vite kishte qenë klient i Bankës ProCredit. Por Ahmet M. vendosi të largohet e të hap llogarinë diku tjetër vitin e kaluar pikërisht kur kjo bankë rriti çmimin e mirëmbajtjes së llogarisë rrjedhëse.

Çmimin prej 5 euro sa paguajnë klientët e ProCredit Bankës për mirëmbajtjen e llogarisë rrjedhëse, ai e kishte paguar vetëm muajin e parë ndërsa menjëherë kishte nisur procedurat e mbylljes së llogarisë, shkruan arbresh.info.

“Nga viti 2000 kam qenë klientë i ProCredit Bankës ndërsa na kanë njoftuar me një mesazh përmes telefonit dhe unë menjëherë kam marrë masa. Vetëm një muaj mi kanë marrë 5 euro derisa kam nis procedurat për largim dhe kam aplikuar në BKT dhe brenda minutave më kanë bë anëtarë të saj madje edhe kredin që e kam pas në ProCredit ma kanë paguar dhe pastaj kam kaluar në BKT”, ka thënë ai.

Por ai nuk ishte i vetmi që u largua, me veti mori edhe familjarët.

“Kemi marrë vendim e gjitha familja të kalojmë në këtë bankë dhe po na konvenon shumë. Kushtet janë pa krahasueshëm më mirë në ProCredit, aty qytetarët paguajnë mijëra euro vetëm pse janë anëtarë të saj”, ka shtuar ai.

Ndërsa Ahmet M. ka treguar edhe për çmimin që paguan për mirëmbajtjen e llogarisë në BKT.

“Çmimi është i lartë në krahasim me bankat tjera, unë tani kam kaluar në BKT derisa në ProCredit pagesa për mirëmbajtje është 5 euro ndërsa në BKT është 50 cent me të gjitha shërbimet gratis”, ka shtuar ai.

Por ka thënë se nuk do të kthehej xhirollogarinë në ProCredit asnjëherë.

“Nuk mendoj të kthehem më në ProCredit, nëse edhe 10 cent ma bëjnë pagesën për mirëmbajtje dhe të gjitha shërbimet tjera unë nuk kthehem më sepse edhe procedurat janë burokratike”, ka përfunduar ai.

E për këtë çështjen arbresh.info ka kontaktuar edhe me Bankën Qendrore të Kosovës.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së ka thënë se çmimi i mirëmbajtjes përcaktohet përmes politikave të bankës.

“Përcaktimi i çmimeve të mirëmbajtjes së llogarive bankare bëhet përmes politikave dhe procedurave të bankës për hapjen dhe mirëmbajtje të llogarisë”, ka thënë ai.

Ndërsa, arbresh.info ka dërguar pyetje te ProCredit Bank rreth ndikimit që ka pas rritja e çmimit për mirëmbajtjen e llogarisë rrjedhëse por nuk ka marrë përgjigje./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme