Civilët në kampin Rukban: Nuk duam të kthehemi në zonën e Assadit

19:13 | 26 Shkurt 2019
Arbresh.info

Civilët në kampin Rukban në Siri, për të cilët zyrtarët rusë kanë pretenduar se kanë nisur evakuimet, janë shprehur se nuk dëshirojnë të kthehen në zonat nën kontrollin e regjimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Rreth 60 mijë civilë vazhdojnë të mbijetojnë nën kushte çnjerëzore në kampin Rukban, i cili ndodhet nën rrethimin e regjimit të Bashar al-Asadit pranë kufirit mes Sirisë dhe Jordanisë.

Civilët që kanë mbetur të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të luftës së brendshme, në kampin që ndodhet në zonën e shkretëtirës në kufi ku kanë ardhur për të kërkuar strehim në Jordani, po kalojnë ditë të vështira për shkak të motit të ftohtë si dhe të mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve.

Kombet e Bashkuara (OKB) shpesh theksojnë nevojën për të përmirësuar situatën në kamp, për të lejuar qasje në ndihma humanitare dhe për të siguruar që çdo evakuim të bëhet duke qenë të bazuara me dëshirë dhe në mënyrë të sigurtë.

Mihail Mizintsev, kreu i qendrës Kombëtare të Kontrollit të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, në një konferencë për shtyp të mbajtur në lidhje me situatën në kamp kishte pretenduar se për evakuimin e civilëve në kampin Rukban kanë formuar dy qendra në zonat Xhulejb dhe Xhebel el Gurab të qytetit Homs.

Gjithashtu Mizintsev kishte pretenduar se me dy korridoret e koordinuara nga qendrat në fjalë do të evakuohen civilët në qendrat e strehimit të përkohshme të vendosura në pjesën periferike të Damaskut. Por zëdhënësi i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, Jens Laerke, në një deklaratë për AA kishte theksuar se OKB nuk është e përfshirë në hapjen e korridoreve në fjalë

Ndërsa civilët për të cilët regjimi i Bashar Asadit nuk jep siguri në çështjen e “mirë trajtimit” ndaj tyre, kundërshtojnë tentativën e Rusisë për evakuim dhe nuk dëshirojnë të kthehen në zonën e regjimit.

– “Korridoret në fjalë janë rrugë vdekjeje”

Udey Selame, një prej civilëve që jeton në kampin Rukban, ka deklaruar se është larguar nga persekutimi i regjimit të Asadit dhe nuk dëshiron të kthehet në zonën e regjimit sepse nuk ka siguri.

“Ajo që ka hapur regjimi i Asadit dhe të cilin e quan korridori humanitar është rrugë e vdekjes. Pse u largova prej tyre? Kam ardhur këtu që t’i shpëtoj persekutimit të Asadit. Ne nuk duam të kthehemi në rajonin e regjimit të Asadit”, tha Selame.

Duke shpjeguar se nuk kanë asnjë mundësi, as edhe kushte në zonën ku ata jetojnë, Selame tha se, “Të na sigurojnë mundësitë dhe kushtet për të qëndruar këtu. Ose të hapin një korridor humanitar nga veriu i vendit për këtu. Veriu (vija kufitare me Turqinë) është e sigurtë. Në veri plotësohen shumë gjëra për të cilët njerëzit kanë nevojë. Ne jetojmë në jug dhe nuk kemi asgjë tjetër përveçse mëshirën e Allahut”.

– “Dëshirojmë të shkojmë në rajonin e Operacionit ‘Mburoja e Eufratit’”

Edhe Muhammed Elasura, një prej civilëve në kamp është shprehur se, “Si mund të shkojmë ne ndërkohë që askush nuk na ka dhënë siguri. Është kërkuar nga të gjithë që të largohen. Jemi vendosur këtu pasi jemi larguar nga persekutimi (i Asadit). Kemi shpëtuar nga vdekja. Si mund të kthehemi në një vend nga i cili jemi larguar? Kemi ende të burgosur nëpër burgje. Nuk e dimë as situatën e tyre, nëse jetojnë apo jo”.

Më tej, Elasura shtoi se kanë jetuar ditë të vështira në kampin Rukban dhe tha se në kamp ka nevojë për ndihma humanitare emergjente.

Duke vënë theksin se në rajonet nën kontrollin e regjimit të Asadit nuk dëshirojnë të kthehen, Elasura tha se, “Nëse nuk dëshirojnë që ne të qëndrojmë këtu, të hapen korridore të ndihmës humanitare. Ne këtë duam, sepse nuk ka perime, fruta, shëndet dhe infrastrukturë. Kushtet e jetesës janë shumë të vështira. Nuk na ka mbetur asgjë. Këtu nuk kemi dëshirë të qëndrojmë, por nuk dëshirojmë që të shkojmë në rajonet nën kontrollin e regjimit të Asadit. Dëshirojmë të shkojmë në rajonin e Operacionit ‘Mburoja Eufratit’ “.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme