Shekulli: Komunikimet zyrtare, në gjuhë zyrtare

14:15 | 16 Shtator 2015
Arbresh.info

Ka disa lloje komunikimesh dhe të gjithë janë në dijeni që komunikimet zyrtare duhet të jenë në gjuhë zyrtare. Dhe gjuha jonë zyrtare nuk e përjashton ë-në.

Dokumentet zyrtarë që paraqesin ministritë dhe institucionet e Republikës së Shqipërisë nuk ndjekin rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Prej kohësh vihet re mungesa e shkronjës “ë” duke mos respektuar kështu “Kongresin e Manastirit”, kongresin e gjuhës shqipe. Informacione të shumta që u serviren qytetarëve shqiptarë kanë një mungesë të theksuar të shkronjës “ë”. Ndonjëherë ajo nuk duket fare, thua se alfabeti shqip ka 35 shkronja. Kultura e gjuhës së këtyre dokumenteve zyrtare shpreh qartë edhe kulturën e këtyre institucioneve për të bërë politikë. Po cilat janë shkaqet që përzënë shkronjë “ë” nga alfabeti i shqipes? Shumica do të mendojë se teknologjia ka ndikuar më së shumti në theksimin e këtij problemi. Nëse ne nuk dërgojmë mesazhe elektronike me “ë”, kjo nuk do të thotë që institucionet shtetërore kanë të drejtën të veprojnë me gjuhën shqipe njëlloj. Zhvillimi i teknologjisë, për profesorin e gjuhësisë Rami Memushaj, nuk është një justifikim për të këtë shkelje që po i bëhet gjuhës shqipe.

Në lidhje me teknologjinë, e cila sigurisht nuk mund të justifikojë përdhosjen që po i bëhet shqipes, na mbetet të sjellim një ide për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Shqipëria prej disa vitesh konsiderohet nga drejtues të lartë të shtetit si “Shqipëria e dixhitalizuar”. “Brezi i internetit”, brezi që sipas kryeministrit po e çon vendin drejt teknologjisë së fundit le të fillojë projektimin e një tastiere kompjuterike, në të cilën të kemi edhe shkronjën “ë”, pa harruar sigurisht edhe ç-në. Shteti ynë fqinj, Greqia ka pajisur qytetarët e saj me tastiera, të cilat respektojnë çdo germë të alfabetit të tyre. Po kështu, ndodh edhe me turqit. “Përgjegjësia për këtë ‘krim’ drejtshkrimor nuk i duhet hedhur tastierës së kompjuterit, por përtacisë dhe papërgjegjshmërisë së shkresëshkruesëve, qofshin ata mindoistra apo kompjuteristë”, thotë për “Shekullin” përkthyesi Edmond Tupja.

Ka disa lloje komunikimesh dhe të gjithë janë në dijeni që komunikimet zyrtare duhet të jenë në gjuhë zyrtare. Dhe gjuha jonë zyrtare nuk e përjashton ë-në. Sa të matura dhe zyrtare janë shkrimet që po i bashkëngjisim këtij shkrimi? Ato dy pikat mbi “e” duhet të kenë rëndësi të madhe për këto shkrime sepse në fund të fundit nuk mbeten vetëm dy pika, në fund bëhen më shumë se 200 pika. Ka njoftime për vende pune, të cilat na vijnë me shqipe të çalë. Në këto shkrime një prej kushteve të pranimit është njohja e një gjuhe të dytë. Si mund t’i kërkohet dikujt që të njohë një gjuhë të dytë kur vetë institucioni që harton këtë shkrim nuk njeh dhe nuk respekton gjuhën e vet? “Një gjuhë që s’shkruhet e s’këndohet, nuk zihet gjuhë”, shkruan Sami Frashëri. E nuk ka se si të këndohet shqip, gjuha e shkrimeve që nuk është shqip.
Profesor Xhevat Lloshi, pedagog i “Pragma-stilistikës” në Departamentin e Gjuhës, tha në 40-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, që u zhvillua në Korçë, se ndryshe nga popujt e tjerë që emrin e kanë marrë nga emri i territorit ku kanë jetuar a jetojnë, ne shqiptarët quhemi kështu jo nga emri i vendit, por nga emri i gjuhës. Kësisoj, nga ky formulim dalim shumë më pak shqiptarë se sa paraqitemi. E meqenëse, Kongresi i Manastirit i parapriu bashkimit kombëtar dhe shpalljes së pavarësisë, a vlen gjithë ajo festë e madhe për këtë 100-vjetor? A vlen një festë për të mbuluar gabimet që kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë? Jo, sepse shqiptarët nuk mund t’i bashkojë një tortë gjigante. Ata i bashkon gjuha shqipe. Nëse zyrtarët e këtij vendi fajësohen për shkeljen e tortës, zyrtarët (jo të gjithë) duhen fajësuar për shkeljen e rregullave të shqipes. E megjithëse, këto dokumente vazhdojnë që të shtohen në numër, nuk ka ende një ligj për të mbrojtur gjuhën që na bashkon. Profesor Memushaj na thotë se ky shqetësim është paraqitur disa herë në Kuvendin e Shqipërisë, por ka kaluar derën dhe tani prej disa kohësh gjendet në sirtar.
Injoranca e kompjuterit dhe e kuvendit

Rami Memushaj/

Profesor i Gjuhësisë
Shkronja “ë” është një shkronjë gati treqindvjeçare dhe nuk është e drejtë që injoranca e kompjuterit të mos i japë asaj rëndësinë e duhur. Teknologjia është një arsye e rëndomtë e cila nuk mund të justifikojë mungesën e kësaj shkronje në shkrimet zyrtare. Mospërdorimi i kësaj shkronje në shkrime dhe dokumente është mosrespektim i gjuhës shqipe. Një gjuhë që nuk shkruhet mirë çon në leximin jo të mirë të saj dhe ky i fundit ndryshon kuptimet e fjalëve. Ne, unë dhe gjuhëtarë e akademikë të tjerë, kemi dërguar në Kuvend kërkesën për hartimin e një ligji që mbron gjuhën shqipe, por këto kërkesa duket se janë vendosur në sirtarë që kyçen. Shkelja që i bëhet vendimeve të “Kongresit të Manastirit” është shkelja që sot ju i bëni gjuhës shqipe.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme