Arritja e një marrëveshjeje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2019, nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është konsideruar si e domosdoshme për të parandaluar destabilizimin e rajonit.
Gjendja në rajon, konsiderohet fragjile, andaj edhe janë shpeshtuar thirrjet edhe nga komuniteti ndërkombëtar që Kosova dhe Serbia të zgjidhin çështjet e pazgjidhura përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe obligative për të dyja palët.
Presidenti Hashim Thaçi gjatë kësaj jave tha se në 12 muajt e fundit, në raportet në mes Kosovës dhe Serbisë, ka vetëm regres.
“Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do të bëjmë marrëveshje ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve që mund ta destabilizojnë gjithë rajonin”, deklaroi Thaçi.
Nga ana tjetër, edhe politikanët nga partitë politike opozitare, konsiderojnë se situata politike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon nuk është e qëndrueshme.
Lutfi Haziri, nënkryetari i partisë më të madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se rajoni në përgjithësi nuk mbahet mend të ketë qenë më i trazuar sesa që është në këtë vit.
“Tirana po vlon nga një sindromë e re që e ka prekur opozitën atje, protestat dhe pakënaqësitë sociale. Beogradi, po ashtu, opozita po provon që pakënaqësitë t’i zgjedh në rrugë përmes protestave. Kemi një heshtje nderi ndoshta mortore nga opozitat në Maqedoni karshi suksesit të kryeministrit Zoran Zaev në arritjen e marrëveshjes me Greqinë. Por, edhe atje situata është në ekzaltim të këtij suksesi… Por, pakënaqësitë janë gjithandej, pa përmendur Bosnjë e Hercegovinën, dhe gjendjen qe kemi në Prishtinë”, thotë Haziri.
Ai thekson se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, qofshin ata në Bashkimin Evropian, në NATO apo në Uashington, po e shohin këtë situatë të brishtë si të rrezikshme, për shkak të rritjes së pakënaqësive sociale.
“Do të jetë e pafalshme nëse Kosovës i përsëritet ndonjë ngjarje e dhunshme. Do të jetë e pafalshme nëse i përsëritet Shqipërisë viti ‘97 ose e pafalshme edhe për Serbinë, sepse edhe ata kanë kaluar në procese të rënda, eedhe Bosnjës e Hercegovinës. Krejt ky ambient kërkon pjekuri të madhe politike dhe unitet. Nuk ka rrugë tjetër për të kaluar”, thekson Haziri.
Edhe analistët politikë tërheqin vërejtjen për rrezikun që mund të vijë si pasojë e rritjes së pakënaqësive sociale në vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën. Sipas tyre, gjendje të tilla janë rezultat i keqqeverisjes.
Analisti Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, pos tjerash thotë se nga përparimi i dialogut Kosovë – Serbi, varen edhe shumë zhvillime, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin në përgjithësi.
Ai thotë se gjendja e status quo-së është e dëmshme për të dy palët, Kosovën dhe Serbinë. Ndërkaq, deklaratën e presidentit Thaçi, për mundësinë e destabilizimit të rajonit në rast të mungesës së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Muhaxhiri e sheh edhe si një lloj kërcënimi diplomatik.
“Raportet në mes Kosovës dhe Serbisë janë jashtëzakonisht komplekse dhe kanë ndikim të madh në Ballkan, pra si në aspektin pozitiv ashtu edhe negativ. Prandaj, edhe pesha politike është shumë e madhe. Ka mundësi që nëse nuk arrihet një marrëveshje finale, atëherë forcat të cilave u intereson destabilizimi,që në radhe të parë dirigjohen nga Rusia, ta shfrytëzojnë vakuumin dhe të ndikojnë negativisht në proceset politike dhe sociale”, vlerëson Muhaxhiri.
Ai thotë, po ashtu, se derisa shihet një angazhim i faktorit ndërkombëtar, në radhë të parë i SHBA-së dhe BE-së për një zgjidhje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë, Rusia, sipas tij, më tepër do të preferonte një gjendje kaosi në Ballkan.
“Nuk mund të anashkalohen edhe trazirat edhe keqpërdorimi dhe instrumentalizimi i situatës së amullisë”, shton ai.
Arritja e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po provohet përmes procesit të negociatave, i cili sipas paralajmërimeve në Prishtinë dhe Beograd, po hyn në fazën finale. Aktualisht, mospajtimet qëndrojnë në faktin se a duhet apo jo që pjesë e negociatave të jetë edhe opsioni i ndryshimit të kufirit, për çka ka dallime si brenda spektrit politik në Prishtinë, ashtu edhe tek ai në Beograd.
Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) gjatë javës që po lëmë pas prezantoi një sondazh që u jep përgjigje disa prej dilemave kryesore që e karakterizojnë dialogun e fazës finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nga gjetjet e prezantuara mes tjerash është thënë se 62 për qind e qytetarëve mbështesin vazhdimin e dialogut në formatin aktual.
Shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, në këmbim të njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), e kanë mbështetur vetëm 30 për qind e qytetarëve të Kosovës.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...