Google ADS

Stevo Pendarovski, kandidati i mundshëm për president në Maqedoninë e Veriut është mik i Hashim Thaçit

08:15 | 23 Shkurt 2019
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka raporte miqësore me njërin nga kandidatët e mundshëm për president të Maqedonisë së Veriut, mëson arbresh.info. Bëhet fjalë për Stevo Pendarovski, njëherit edhe ish-kandidat për president të Maqedonisë në vitin 2014.

Pendarovski gëzon shumë mbështetje edhe nga komuniteti shqiptar në Maqedoni shkaku i qasjes që ka ndaj tyre.

Për më tepër ai e njeh edhe shumë mirë gjuhën shqipe, dhe sipas burimeve brenda partive shqiptare në Maqedoni ai kësaj here ka më së tepërmi gjasa.

Pendarovski aktualisht është deputet i pavarur në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut në legjislaturën e vitit 2016-2020.

Ai është intelektual i shquar, profesor universitar, dhe deri më tani asnjëherë nuk ka shfaqur ndonjë shenjë nacionalizmi ose urrejtjeje ndaj shqiptarëve.

“Të drejtat e shqiptarëve nuk duhet të jenë pengesë për ne”, kishte deklaruar Pendarovski pas ndryshimeve kushtetuese që në letërnjoftime të shkruhej edhe nacionaliteti shqiptar, dhe jo vetëm si maqedonas.

Diskutimet brenda LSDM-së dhe partive shqiptare po vazhdojnë, dhe përveç Pendarovskit, arbresh.info mëson të jenë përmendur si kandidatë të mundshëm edhe Nikolla Dimitrov dhe Denko Malevski.

(Foto Nikolla Dimitrov)

Dimitrov që nga 31 maji 2017 drejton diplomacinë e Maqedonisë së Veriut. Dikur Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Ambasadori i Maqedonisë në Shtetet e Bashkuara dhe pastaj në Holandë.  Në vitin 2014, ai refuzoi të bëhet ambasadorë i Maqedonisë në Rusi.

(Foto Denko Malevski)

Edhe Malevski është profesor në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Shkupit dhe drejtor i studimeve pasuniversitare të “Politikës Ndërkombëtare dhe të Drejtës Ndërkombëtare”. Ai ishte ministri i parë maqedonas i punëve të jashtme (1991-1993) dhe ambasador në OKB (1993-1997). Librat e tij të fundit janë “Politika Ndërkombëtare” (Shkolla e Drejtësisë, 2000) dhe “Bota e Thukididit dhe Machiavellit”.

Pavarësisht kësaj konsultimet dhe kalkulimet e brendshme të partive politike në Maqedoni janë duke vazhduar.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi shpalli më 8 shkurt zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen me 21 prill në raundin e parë, ndërsa i dyti është vendosur me 5 maj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme