Reme Lala: Nuk kam arsye të djeg mandatin

11:33 | 22 Shkurt 2019
Arbresh.info

Opozita ka dorëzuar ditën e djeshme mandatet e deputetëve. Pas protestës para Parlamentit, liderat e PD dhe LSI së bashku me deputetët dhe aleatët janë drejtuar drejt Kryesisë së Kuvendit për të lënë zyrtarisht mandatet e tyre.

Por duket se mes tyre ka pasur edhe “rebel”, që kanë refuzuar ta lëshojnë mandatin. Gjatë ditës së djeshme në protestë i pranishëm ka qenë edhe Shpëtim Idrizi. Partia e tij aktualisht ka tre mandate në Parlament, por asnjë prej deputetëve të tij s’është kontaktuar për t’ju bashkuar nismës.

E kontaktuar nga Gazeta Shqiptare, deputetja Reme Lala është shprehur se asnjë palë politike nuk e ka kontaktuar për të marrë vesh edhe vendimin e saj. “ Asnjë nuk më ka kontaktuar për djegien e mandateve. S’kam asnjë arsye për ta djegur”, ka thënë deputetja e re.

Më tej ajo tregon se edhe pse është deputete nga rradhët e PDIU-së, prej shumë kohësh nuk ka asnjë kontakt me kryetarin e kësaj force, Shpëtim Idrizin. “Me Shpëtim Idrizin kemi shumë kohë që s’kemi asnjë kontakt asnjë lloj marrëdhënie”, shprehet Lala për GSH.al. E në fund deputetja e qarkut të Dibrës përsërit edhe njëherë atë që tha që në momentin e parë që u shpall fituese në Dibër.

“Mandati im është për Edi Ramën”. Gjatë fjalës së tij përpara protestuesve, Idrizi bëri thirrje se fundi i Edi Ramës kishte ardhur. “Jam sot këtu për t’i thënë dallkaukut: hapi rrugë shqiptarëve, zgjedhjeve të lira sepse shqiptarët do ta marrin vetë fatin e tyre në dorë. Nëse detyrove 400 mijë shqiptarë të ikin nga Shqipëria, sot ka ardhur koha të ikësh ti. Shqiptarët janë të gatshëm siç larguan komunizmin të të largojnë dhe ty. Nuk mundet që taksat e shqiptarëve të shkojnë tek duart e pesë vetëve. I them o ‘nëntëdhjetëenëntësh’, largohu ose shqiptarët do të punojnë qindëshin”, tha Idrizi, edhe pse tre deputetët e tij, duket se tashmë i janë bashkuar atyre të Edi Ramës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme