Google ADS

Pushteti në Medvegjë çregjistron shqiptarët

11:32 | 21 Shkurt 2019
Arbresh.info

“Pasivizimi i shqiptarëve në komunën e Medvegjës ka marrë një hov të madh, vendbanimet shqiptarë janë çdo ditë në shënjestër të policisë për verifikim të popullatës, e më pas edhe pasivizimin e tyre”, kështu i ka thënë sot portalit prsheva.com, Bajram Mustafa, kryetar i degës së PD-së në Medvegjë, njëherit edhe këshilltarë në KK të Medvegjës.

Ky problem ka bërë që një delegacion nga Medvegja, kryesisht këshilltarë të PD-së, të kryesuar edhe nga kryetari i këtij subjekti politik Nagip Arifi, sot qëndruan në zyrat e OSBE-së në Bujanoc për t’i njoftuar për së afërmi me situatën e krijuar në këtë komunë.

Delegacioni i Partisë Demokratike, i udhëhequr nga kryetari i saj Nagip Arifi, me bashkëpartiakët e tij nga Medvegja, njëherit këshilltarë të Kuvendit Komunal Medvegjë, u pritën nga shefi i misionit të OSBE-së në Bujanoc, Giacomo Bosisio. Në takim u disktua çështja politike dhe e sigurisë në Medvegjë. Para së gjithash këshilltarët e PD-së nga Medvegja e njoftuan Bosision rreth shlyerjes së shqiptarëve nga regjistri i gjendjes civile. Mystafa gjithashtu ka potencuar se, “shefi i misionit të OSBE-së në Bujanoc Giacomo Bosisio, na tha se, shqetësimet tona do t’ia përcjell shefit të tij në Beograd. Edhe pse mandati ynë është paksa i ngushtuar lidhur me çështjen për të cilën është potencuar në takim, ai na tha se do të vijmë në Medvegjë për të biseduar më përfaqësues të pushtetit lokal dhe policinë”, është shprehur Mustafa. Sipas tij, gjendja rreth pasivizimit të popullatës shqiptare kohëve të fundit në komunën e Medvegjës ka marrë hov edhe më të madh dhe nëse nuk ndërmerret diçka në këtë drejtim Medvegja zyrtarisht do të ngelë pa shqiptarë. Vlen të theksohet se në KK të Medvegjes në koalicionin qeverisës me SNS bëjnë pjesë edhe dy subjekte politike shqiptare PVD dhe PDSH./presheva.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme