Korridori misterioz detar ku janë zhdukur anije, thesare e aeroplanë

08:57 | 21 Shkurt 2019
Arbresh.info

Ngushtica Malaka është një nga rrugët detare më të mëdha të tregtisë në botë. Kjo ngushticë 890 kilometra e gjatë ndan Malajzinë dhe Indonezinë.

Në pjesën më të ngushtë të saj është vetëm 3 kilometra e gjerë. Aty kalojnë me mijëra anije tregtare në vit, duke e bërë atë një nga shtigjet më të rëndësishme. Por kjo ngushticë ka dhe anën e saj të errët. Historia ka treguar se aty janë zhdukur shumë anije.

Një anije holandeze po lundronte në ngushticën e Malaka në vitin 1948 dhe la një mesazh të fundit përpara se të zhdukej.

“Të gjithë oficerët, përfshirë dhe kapitenin, kanë vdekur. Ndoshta i gjithë ekuipazhi ka vdekur”.

Një tjetër anije që lundronte aty pranë, iu përgjigj thirrjes për ndihmë në radio. Pasi mbërriti në zonën ku anija holandeze dërgoi sinjalin për ndihmë, gjeti një “varrezë në det”. Asnjë prej viktimave nuk kishte shenja të lëndimeve. Një zjarr kishte shpërthyer në bordin e anijes dhe u fundos. Çuditërisht, nuk ka pasur asnjë dëshmi për anijen, duke shtuar dyshimet nëse ka ekzistuar realisht.

Disa argumentojnë se nuk ishte ndërmarrë asnjë mision shpëtimi. Të tjerë thonë se disa shtete bashkëpunuan për të mbuluar tragjedinë. Ndërsa një dokument i CIA-s pohonte mundësinë që “diçka misterioze” të ketë qenë aty, shkruan tvklan.al. .

Megjithatë, misteri më i madh mund të jetë zhdukja e aeroplanit “Malaysia Airlines” e fluturimit 370 në vitin 2014. Momentet e fundit përpara zhdukjes, radari regjistroi se aeroplani po kthehej pas në Malajzi duke shkuar drejt ngushticës Malaka. Në veri të Sumatrës, humbi nga radarët.

Përveç tragjedive, në ngushticën e Malaka thuhet se gjendet një thesar. Në vitin 1511, një anije portugeze u mbyt duke lundruar në këto ujëra. Bashkë me 400 personat në bord, në fund të detit përfunduan edhe ar e diamante, me vlerë 3 miliardë Dollarë. Rrënojat e kësaj anije nuk janë gjetur kurrë. As thesari i çmuar.

Përpos këtyre ngjarjeve, ngushtica e Malaka është e njohur gjithashtu edhe për sulmet e shpeshta nga piratët. Vetëm për vitin 2017, janë raportuar 43 raste të sulmeve të dhunshme ndaj anijeve në ujërat përreth Indonezisë. Në një artikull të vitit 2014, piratët thuhet se grabitën 2.6 milionë Dollarë karburant duke marrë drejtimin e një anije çisternë që lundronte nga Singapori drejt Borneo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme