Albin Kurti i gatshëm për konsensus rreth dialogut me Serbinë

08:11 | 21 Shkurt 2019
V. S.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se dialogu nuk mund të vazhdoj pa u shqyrtuar ai paraprak.

Sipas Kurtit me Serbinë deri më tani janë bërë rreth 33 marrëveshje dhe siç tha ai duhet të shihen sa kanë pasur ndikim dhe zbatim.

Është e qartë se kemi nevojë ta shqyrtojmë dialogun paraprak, të nxirren mësimet, të bëhen vlerësimet, të shqyrtohen ato 33 marrëveshje sa i përket zbatimit tyre dhe ndikimit në realitet. Ne nuk duhet të shtiremi se nuk kemi marrëveshje me Serbinë, kemi shumë marrëveshje, i kemi 33 sosh dhe duhet të shihet se çfarë është bërë e çfarë nuk është bërë. Duhet të merret përgjegjësia për dialogun paraprak dhe vetëm më pastaj mund të ecim tutje”, ka thënë ai në një prononcim për portalin arbresh.info.

Kurti theksoi se për të pasur konsensus të partive në dialog duhet mbajtur një mbledhje në Kuvendin e Kosovës dhe partitë politike të diskutojnë për borxhin që siç tha ai Serbia i ka Kosovë.

Ecja tutje nënkupton një konsensus në Kuvendin e Kosovës ku duhet të dakordohemi për të gjitha kërkesat tona sa i përket Serbisë. Besoj që po u mbajt një mbledhje në Kuvendin e Kosovës në të cilën të gjitha subjektet politike diskutojnë se çfarë borxhi na ka neve Serbia, ne do të mund ta bënim një konsensus më të mirë të shtetit tonë duke e konsideruar Serbinë si një borxhli i madh ndaj Kosovës dhe shqiptarëve dhe pastaj të vazhdojmë me platformën me parime dhe ekipin negociator. Pa i ndjekur hapat në mënyrë të drejt dhe të rregullt nuk besoj se do të ketë dialog të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm”, ka thënë ai.

Kreu i VV-së ka folur edhe për taksën ndaj mallrave serbe, ku theksoi se kjo taksë nuk duhet të hiqet.

Taksa 100% ndaj mallrave të Serbisë nuk duhet të hiqet, heqjen e saj e ka kërkuar Presidenti i Serbisë. Serbia neve na ka shumë borxh. Shumë më mirë se taksa 100% do të ishte parimi i reciprocitetit me ç’rast ne mallrat e Serbisë nuk i lejojmë deri sa ajo nuk e njeh pavarësinë dhe nuk i paguan dëmet e luftës. Por edhe kështu si është bërë tani nuk duhet të ketë zmbrapsje. Kjo është çështje shtetërore, e tillë duhet të ngelet dhe kurrsesi të degradohet në aspektin elektoral. Serbia nuk është diçka e cila duhet ta ndaj korpusin tonë si subjekte politike e si institucione shtetërore. Karshi Serbisë do të duhej të ishim të bashkuar dhe është absurde të besohet që nuk duhet të sillemi me integritet, dinjitet dhe reciprocitet karshi Serbisë”, ka deklaruar Kurti./V.Berisha/arbresh.info

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/546900172466427/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme