Google ADS

PDK e do Mimoza Kusari- Lilën, në krye të Qeverisë Teknike?

20:54 | 19 Shkurt 2019
Arbresh.info

Në kohën kur koalicioni PAN duket se është thyer keq, dhe kur janë shtuar zërat për krijimin e një qeverie teknike për t’i përmbyllur negociatat me Serbinë, në opinion ka filluar të diskutohet edhe për emrin e udhëheqësit të qeverisë kalimtare.Si opsion i pranueshëm nga disa subjekte politike, po përflitet emri i themelueses së subjektit opozitar në Kuvendin e Kosovës “Alternativa”, Mimoza Kusari – Lila.

“Gazeta Blic” merr vesh se Kusari-Lila tashmë ka marrë “dritën jeshile” nga PDK-ja, si drejtuese e mundshme e qeverisë teknike.

”PDK nuk e përjashton Mimoza Kusari- Lilën, si udhëheqëse të Qeverisë teknike”, thonë burime brenda PDK-së.

Sipas këtyre burimeve, kjo Qeveri do ta udhëhiqte vendin deri në vjeshtë, kohë kjo deri kur do të përmbylleshin negociatat me Serbinë, dhe vendi do të përgatitej për zgjedhje të parakohshme.Të shtunën, Kusari- Lila kishte mbajtur një konferencë me gazetarë, ku kishte propozuar formimin e një Qeverie Teknike.

“Alternativa thërret për caktim të një date të zgjedhjeve të përgjithshme në një periudhë të afërt, ndërsa në ndërkohë Kosova mund të udhëhiqet edhe me Qeveri teknike”, ka deklaruar ajo.Ndërkq, sot kryetarja e “Alternativës” mohon se ka diçka konkrete dhe se ka diskutuar me dikë nga PDK për këtë çështje.

“Jo nuk është diskutuar, është çështje e diskutimeve në opionion që po i dëgjoj si nga ju ashtu edhe nga të tjerët por nuk ka diçka konkrete”, u shpreh ai.

Megjithatë, në rast se ditëve në vijim do të ketë një vendim konkret, ajo nuk e mohoj por as pohoj, marrjen e përgjegjesive nga ky proces.

“Por në rast se do të ketë diçka, atëherë sipas rastit edhe deklarohem por tani nuk kam çka me deklaru për këtë çështje”, shtoi tutje ajo.

Ndryshe, LDK-ja tashmë e ka caktuar si kusht ndërtimin e një qeverie gjithpërfshirëse për të përfunduar dialogun me Serbinë.Megjithatë, nga LDK kanë theksuar se kjo parti është e ndarë në dysh për Qeverinë teknike.

”Derisa të vjetrit e partisë nuk e përjashtojnë mundësinë e një qeverie gjithëpërfshirëse, pjesa e të rinjve nuk pranojnë asnjë hyrje në një qeveri edhe teknike, ku mund të jetë PDK”, tha një zyrtar i lartë i LDK-së, në kushte anonimiteti.

E, AAK-ja dhe NISMA si dy parti të koalicionit qeverisës nuk janë pajtuar me ketë ide. Derisa paritë tjera ende nuk kanë dalur me qëndrim zyrtar për krijimin e një qeverie teknik.

Por për të vazhduar dialogun në Bruksel, Serbia ka kërkuar heqjen e tarifës doganore ndaj mallrave që importohen nga ky shtet, duke kushtëzuar vazhdimin e dialogut mes dy vendeve.

Edhe shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e shohin taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si pengesë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E ky fakt ka nxjerrur në pah edhe dallimet mes drejtuesve të koalicionit qeverisës Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentarit Kadri Veseli.Kryeministri Ramush Haradinaj, sa i përket shkuarjes në zgjedhje deklaroi sot para gazetarëve se mjafton të bëhen 61 vota dhe gjithçka merr fund. Megjithatë, thotë se vetë nuk është për zgjedhje të reja, por do ta respektonte nëse një partner i koalicionit e kërkon një gjë të tillë.

“Ne e kemi pas një dakordim, që për secilin institucion, të flasë secili udhëheqës i institucionit. Dhe kryetari Veseli më nderoi me një fjalë. Unë s’muj me e komentue fjalën e kryetarit Veseli. Ishte një ditë festive, dhe një porosi e kësaj natyre shkon. E di pse po pyesni, se kanë ndodhë ato që janë thanë. Në organizime kemi qenë të ngarkuar. Zgjedhjet mund të vijnë çdo ditë. Nuk bën përjashtim Kosova. Për zgjedhje s’ka nevojë as me u bo nervoz. Mjafton me marrë vendime politike, me u bo 61 deputetët në Kuvend dhe kaq. Nuk ka nevojë për me kalu në trauma tjera. Unë nuk jam i gatshëm për zgjedhje. Jam i gatshëm me punu. Por nëse parlamenti vendos ashtu, unë e respektoj. Nëse nesër thirret një seance dhe ka 61 vota mosbesimi për Qeverinë, kuptohet shkojmë në zgjedhje dhe vazhdon jeta”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa tha për “Gazeta Blic” se edhe nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja atëherë si parti janë të përgatitur.

“PDK e ka qëndrimin e vet dhe konsiderojmë që Kosova nuk e ka komoditetin për qytetarët e saj të kenë zgjedhje të parakohshme për arsye se jemi në një momentum të rëndësishëm për vendin. Por megjithatë, nëse shkojmë në zgjedhje, ne jemi të përgatitur për to dhe jemi shumë optimist që Partia Demokratike do të dali partia e parë në nivel vendi” tha Beqa.

Sipas tij, nëse PDK dëshiron që ta dërgojë vendin në zgjedhje, atëherë një gjë të tillë mund ta bëjnë shumë lehtë. Indirekt, “kërcënoi” edhe të parin e ekzekutivit, Ramush Haradinaj se partnerin e koalicionit qeverisës mund ta ndërrojnë edhe pa e dërguar vendin në zgjedhje të reja.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me elektoratin e vendit edhe ashtu kemi qenë në proces zgjedhor me rininë në vitin e kaluar tash jemi me partinë. Do të thotë që kemi një mbështetje për PDK-në, për “Dekadën e Re” që asnjëherë me parë nuk e kemi pasur më të madhe. Kurrë mbështetje më të fuqishme për PDK-në nuk ka pasur. Megjithatë, ne nëse dëshirojmë ta dërgojmë vendin në zgjedhje mund ta bëjmë, mund të ndërrohen partnerët dhe të mos shkojmë në zgjedhje por, d.m.th nuk e kemi menduar për këtë” tha ai.

Por ata që po e shohin si vështirë të realizueshme shkuarjen në zgjedhje në ketë kohë, janë shoqëria civile.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme