Google ADS

Liberalizimi i tregut nuk ndikoi në uljen e çmimit të energjisë

18:49 | 19 Shkurt 2019
Arbresh.info

Liberalizimi i tregut me energjinë elektrike mbetet vetëm në letër. Dy muaj pas vendosjes së tregut të lirë, kompanitë që kanë licenca për furnizim me rrymë deri tani nuk kanë dalë me ofertë për amvisëritë.

“Për fat të keq furnizuesit në periudhën e kaluar, para së gjithash për shkak të çmimit të shtrenjtë të energjisë elektrike në Maqedoni por edhe në tregun rajonal, ku çmimi është rreth 70 deri 80 euro për një megavat orë, ende nuk kanë interesim t’i ofrojnë shërbimet e tyre për amvisëritë”- theksoi Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit rregullator të energjetikës

Në tregun e rregulluar apo siç ishte deri tani, energjia elektrike është më e lirë krahas rregullave të reja që i parasheh liberalizimi. Një periudhë më të gjatë autoritetet dhe ekspertët në fushën e energjetikës i siguronin qytetarët se me vendosjen e liberalizimit të energjisë elektrike, çmimi i rrymës do të ulet, ndërsa qytetarët do kenë mundësi të zgjedhin furnizuesin. Për momentin këtë lehtësim e gëzojnë vetëm kompanitë. Rregullatori thotë se qytetarët të cilët nuk do dalin në tregun e lirë nuk do paguajnë fatura më të larta për rrymë. Për amvisëritë që do mbeten në parimin e vjetër, energji elektrike do marrin nga furnizuesi universal i cili do mësohet për dhjetëra ditë.

Deri në fillimin formal-juridik të kryerjen e kësaj veprimtarie të furnizuesit universal, do duhet të kalojnë dy deri tre muaj në procedura formale në KRE” -tha Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit rregullator të energjetikës

Interes për t’u bërë furnizues universal kanë shprehur dy kompani simotra të ELEM dhe EVN. Vetëm njëra prej tyre do e fitojë punën. Ndryshe, para një jave nga Komuniteti energjetik evropian Qeveria mori kritika të ashpra. Njeriu i parë i komunitetit të energjetikës evropiane Janez Kopaç i qortoi autoritetet se liberalizimi nuk është bërë plotësisht. Gjithashtu në raportin për përparimin e vendit në fushën e energjetikës thuhet se vendi është larg përqindjes së energjisë elektrike që duhet ta prodhojë nga burimet e ripërtërishme. Në pikëpyetje është edhe hartimi në kohë i planit për efikasitet energjetik të cilin autoritetet duhet ta përgatitin deri në fund të muajit prill. Në pjesën e energjetikës problem plotësues është edhe ajo që edhe pse në vend ka ligj për rezerva të naftës, i njëjti nuk zbatohet në terren.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme