Google ADS

Rasti i prokurorit Elez Blakaj, turpi më i madh i drejtësisë për 11 vjet

09:45 | 19 Shkurt 2019
L G

Edhe 11 vjet nga shpallja e pavarësisë së shtetit të Kosovës,  sistemi i drejtësisë në Kosovë  nuk ka arritur të pavarësohet tërësisht nga politika, shkruan arbresh.info.

Shoqëria civile nuk është shumë e kënaqur me arritjet e sistemit të drejtësisë që nga shpallja e pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Pjesëtarë të shoqërisë civile pohojnë se sistemi i drejtësisë ka nevojë për më shumë punë në menaxhimin e lëndëve dhe pavarësimin nga ndikimi  i politikës.

Isuf Zejna nga organizata “Demokracia Plus”, pohon se për këto 11 vjet në sistemin e   drejtësisë  është bërë një përmirësim në infrastrukturë dhe shtim të kapaciteteve humane të gjykatave dhe prokurorive. Sipas tij, që nga viti 2008 gjyqësori në Kosovë ka qenë në fokus të investimeve si nga qeveria ashtu edhe nga donatorët e huaj.

Megjithatë, Zejna thotë se  performanca e gjyqësorit nuk është rritur në përputhje me investimet e bëra.

Sipas tij ende një numër shumë i madh i lëndëve mbesin të pazgjidhura nga gjykatat dhe besimi i qytetarëve në këtë institucion është shumë i ulët.

“Ndër problemet që sot shoqërojnë punën e gjyqësorit janë ndikimi i politikes, grupeve të ndryshme kriminale dhe mungesa e guximit për t’i trajtuar rastet e profileve të larta. Ne jemi dëshmitarë se si çdo rast i nivelit të lartë në Kosovë ose është liruar si i pafajshëm ose janë dënuar me dënime qesharake. Si rezultat i kësaj qasje të gjyqësorit, korrupsioni dhe krimi i organizuar mbesin në nivele shumë të larta në Kosovë dhe shpresa e vetme mbetet një rishikim i thellë i gjyqësorit”, është shprehur Zejna.

Sipas tij, instalimi i praktikës së llogaridhënies nga gjyqësori për performancën e gjyqtareve dhe prokurorëve është shpëtimi i vetëm në këtë rast.

Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët sipas Zejnës duhet të mbahen llogaridhënës për punën apo mos punën e tyre. Për këtë arsye sipas tij, duhet ndërtuar mekanizmat e llogaridhënies të cilët do të mbikëqyrnin këtë pushtet rast pas rasti, sidomos në ato të rëndësisë së veçantë.

KDI: Drejtësia ka dështuar në menaxhimin e lëndëve dhe pavarësimin nga politika

Në anën tjetër Instituti Demokratik i Kosovës  (KDI)  vlerëson se drejtësia kosovare ende është e ndikuar nga politika.

Florent Spahija nga ky institut pohon se për 11 vjet Kosova ka arritur të këtë ndryshime pozitive në sektorin e drejtësisë, mirëpo, ka pasur edhe disa ngecje të mëdha, përfshirë këtu edhe pavarësimin nga politika.

Sipas Spahiajt ndryshimet pozitive në sektorin e drejtësisë shihen tek shndërrimi i  gjykatave komunale të qarkut në atë Apelit dhe Gjykatë Supreme.

Ndërsa  si dështim, Spahija ka përmendur edhe  menaxhimin e lëndëve, e sidomos atyre civile.

“Kur flasim për lëndët e korrupsionit vazhdimisht ka pasur vonesa por edhe raste të cilat janë parashkruar, për shkak që gjyqtarët dhe prokurorët tanë nuk kanë qenë efikas në kryerjen e detyrave të tyre. Në anën tjetër për lëndë civile qytetarët presin me vite të tëra dhe ka raste kur presin deri në 20 vjet. Kur flasim për gjëra pozitive, është shtimi i numrit të gjyqtarëve, gjyqtarë të ri, energji e re, për të cilët besojmë se do ta kryejnë punën me më shumë sukses dhe kur të flasim për 20 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, atëherë do të flasim për punën se si këta gjyqtarë i kanë kthyer në binar gjykata dhe jo për gjyqtarë të cilëve u parashkruan lëndët”, ka thënë ai.

Ngecja më  madhe në sistemin e drejtësisë sipas tij është mos pavarësimi i  tërësishëm nga politika dhe grupe të tjera të interesit.

Si një nga rastet e ndikuara politike në sistemin e drejtësisë, ai ka përmendur rastin e hetimit të veteranëve të rrejshëm nga prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, të cilin e ka quajtur turp të drejtësisë.

“Nëse flasim cili është ndikimi i politikës në gjyqësor, atëherë kur këna bërë matje vitin e kaluar ka dal që ka ndikim të politikës në sistemin e drejtësisë, është një ndër ndikimet më të mëdha. Por në anën tjetër duhet me pa që nuk janë të gjithë të ndikuar, ka edhe të pandikuar. Kemi pa raste  të aktakuzave të mëdha  ku kanë dështuar dhe  fajin për dështimin prokuroria e hedh të gjykata dhe anasjelltas, e që fajin për ato dështime e ka politika. Që ka një lloj ndërhyrje shihet, është rasti i prokurorit Blakaj që është turpi i drejtësisë për këto 11 vjet. Shteti nuk e ka mbrojtur dhe për shkak të politikës është dashur ta liroj vendin dhe të shkoj diku tjetër”, është shprehur Spahija.

Ndryshe, në gusht të vitit 2018  sistemi i drejtësisë u përfshi nga një skandal. Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj dha dorëheqje nga detyra e tij duke u larguar në Amerikë.

Pretendimet e Blakajt ishin se derisa po hetonte rastin e listave të fryra të veteranëve, ku pjesë e hetimit ishin anëtarët e Komisionit për Verifikimin e Listave të Veteranëve të UÇK-së, ai kishte pasur ndërhyrje duke nisur nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kreu i Këshillit Prokurorial i Kosovës dhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku.

Aktakuza që kishte përgatitur Blakaj sipas Prokurorisë së Shtetit ishte e mangët dhe  ky rast iu nda prokurorit special, Afrim Shefkiut, i cili në fund të shtatorit 2018 ngriti aktakuzë ndaj profilit të lartë të veteranëve dhe listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Xhavit Jashar.

Seanca e shqyrtimit fillestar në këtë rast pritet të mbahet në mars të këtij viti. /arbresh.info/

 

 

Të ngjashme