Google ADS

BE-ja e konsideron në kundërshtim me MSA-në vendimin e Qeverisë për heqjen e akcizës për cigare e duhan

20:34 | 18 Shkurt 2019
Arbresh.info

Bashkimi Evropian po e kundërshton vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e akcizës për cigare dhe duhan, e, në vend të saj, të aplikohet taksa në vlerë të mallit prej 30 përqind.

Në një përgjigje me shkrim nga Zyra e BE-së, thuhet se ky vendim bie ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, raporton KTV.

Në këtë përgjigje thuhet se, pasi Komisioni Evropian e ka shqyrtuar marrëveshjen, përfaqësuesja e BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, i ka sugjeruar Qeverisë që të tërheqë këtë vendim.

Mirëpo, qeveria nuk e ka ndërmend ta kthejë mbrapsht atë.

Zëvendësministri i Financave, njëherësh edhe kryesues i ekipit që ka përpiluar këtë dokument, Fatmir Gashi, është shprehur i bindur se nuk kanë bërë kurrfarë shkelje të kësaj marrëveshjeje.

Sipas Gashit, ky vendim synon ndryshimin e politikave fiskale e bujqësore për prodhimin e duhanit dhe cigareve në vend.

Ai konsideron se, me këto vendime, qeveria vetëm se do ta zhvillojë ekonominë e vendit si dhe do të rritet numri i të punësuarve.

I pyetur nëse lehtësime të tilla janë bërë në favor të biznesmenëve që punojnë për kryeministrin, siç është Gazemend Abrashi i cili ka fabrikë të duhanit, Gashi, shkurt ka thënë se Abarshi ka qëlluar tashmë në këtë biznes.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme