Çfarë do të ndodhë nëse digjen mandatet?

16:28 | 18 Shkurt 2019
Arbresh.info

Demokratët e kanë të qartë se nuk do të ndjekin rrugën e bojkotit 6-mujor për djegien e mandateve të deputetëve, por do të firmosin për t’i dorëzuar ato në mënyrë të menjëhershme, nëse Këshilli Kombëtar do të votojë pro.

Por çfarë ndodh ligjërisht pas këtij momenti? Kodi elektoral përcakton në mënyrë të detajuar rastet e lënies së mandatit nga një deputet.

Neni 164 vëren se pas ndërprerjes së mandatit të një deputeti, Kuvendi i dërgon kërkesën Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për zëvendësimin e vakancës dhe kjo procedurë duhet bërë jo më vonë se 30 ditë.

Mandati i ndërprerë i deputetit i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. KQZ merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike.

Nëse asnjë nga deputetët e listës së pritjes së partive opozitare nuk do të pranojë të hyjë në Kuvend, atëherë në të njëjtin nen, në pikën 4 sqarohet se “kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë. Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë”.

Por në zgjedhjet e vitit 2017, partitë politike nuk garuan në koalicione. Për pasojë, nëse opozita do t’i lërë në bllok mandatet, vendet e saj në Parlament do të mbeten bosh.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme