Gjermania e konsideron të vështirë riatdhesimin e militantëve të “Shtetit Islamik”

14:24 | 18 Shkurt 2019
Arbresh.info

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, tha se është “shumë e vështirë” të organizohet riatdhesimi i shtetasve evropianë, të cilën në Siri i janë bashkuar grupit militant “Shteti Islamik”.

Një kthim mund të jetë i mundur vetëm nëse “ne mund të garantojmë se këta njerëz do të ndalohen dhe do të dërgohen këtu në gjykatë”, tha Heiko Maas për televizionin ARD.

Për këtë, “nevojitet informacioni gjyqësor dhe për këtë ende nuk jemi gati” tha ai. Nën kushte të tilla, sipas tij, një riatdhesim do të ishte “jashtëzakonisht i vështirë për t’u arritur”.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump kishte kërkuar riatdhesimin e tyre nga ana e shteteve evropiane.

Në anën tjetër, Ministrja e Drejtësisë franceze, Nikol Belobet, tha se Franca do të vlerësojë në mënyrë individuale rastet e të riathdesuarve.

Në Belgjikë, Ministri i Drejtësisë, Koen Geens bëri thirrje për një “zgjidhje evropiane” të kësaj çështje, duke thënë se nevojitet një “reflektim i qetë duke shikuar në atë që do të ishte rreziku më i vogël i sigurisë”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka deklaruar se “kalifati” i grupit militant, Shteti Islamik është në prag të kolapsimit dhe u bëri thirrje aleatëve evropianë “të marrin” mbi 800 militantë që janë kapur në Siri.

“Shtetet e Bashkuara po kërkon nga Britania, Franca, Gjermania dhe aleatët e tjerë evropianë që të marrin mbi 800 luftëtarë (të IS-it) që janë kapur në Siri dhe t’i gjykojnë ata”, ka shkruar Trump në Twitter.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të tërhiqen nga Siria.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme