Google ADS

Zoran Zaev: Nuk ka ndryshim kufijsh të Maqedonisë së Veriut

14:00 | 16 Shkurt 2019
Arbresh.info

Në Konferencën e Sigurisë që zhvillohet në Mynih (15-17.02) merr pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Deutsche Welle e pyeti kryeministrin Zaev për debatin aktual të kufijve mes Kosovës e Serbisë.

Në bisedë me Deutsche Wellen, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev lidhur me debatin për ndryshim kufijsh mes Kosovës e Serbisë theksoi, se pas zgjidhjes së problemit të Maqedonisë së Veriut me Greqinë, tani mbeten çështja e Kosovës dhe Bosnja si problemet që duhen zgjidhur.

“Ja pse ne e mbështesim çdo zgjidhje dhe do të promovojmë bashkëpunimin, të garantojmë paqen dhe çojmë përpara axhendën tonë dhe ajo është integrimi në BE. Dhe kjo është e mundur të arrihet. Nuk po hyj në detaje, sepse nëse dikush nga vendet fqinjë komenton detajet, kjo mund të kthehet në një problem. Kjo është çështje mes Beogradit dhe Prishtinës, unë besoj, se ata do ta gjejnë një zgjidhje. Shpresoj për një zgjidhje pozitive dhe miqësore, dhe dua t’i ndihmoj të dy presidentët dhe qeveritë e tyre.”

“Ata vetëm mund të ëndërrojnë për ndryshimin e kufijve të Maqedonisë së Veriut”

Ndërsa i pyetur, nëse mund të ketë pasoja hapja e çështjes së ndryshimit të kufijve edhe për Maqedoninë, kryeministri Zoran Zaev tha se “tani ata vetëm mund të ëndërrojnë për ndryshimin e kufijve të Maqedonisë Veriore. Ne jemi anëtar i NATO-s. Nuk do të ketë ndryshim kufijsh në Maqedoninë Veriore. Ne jemi të sigurtë dhe (anëtarësia në NATO) na e jep këtë siguri.”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në bisedë me Deutsche Wellen theksoi, se “qëllimi ynë i përbashkët është integrimi në BE, në zonën Shengen dhe hapja e kufijve. Të jemi në një kufi të përbashkët europian, kjo është gjëja më e rëndësishme. Nëse mendojmë në këtë drejtim, duhet të veprojmë në këtë mënyrë. Më në fund duhet të ndalim të mendojmë, se bota ka filluar të ekzistojë me kombet tona. Jo. Ne mund të jemi të gjithë më ambiciozë, të tregojmë më shumë solidaritet, të ndihmojmë më shumë njëri-tjetrin për një jetë më të mirë, ne kemi të gjithë vetëm një jetë. Dhe shumë varet nga politikanët. Nëse e lëmë mënjanë nacionalizmin, do të jemi më europianë dhe do të jetojmë më shumë një jetë europiane.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme