Partia Demokratike do të mbajë nesër protestën e saj të madhe e paralajmëruar prej ditësh

18:57 | 15 Shkurt 2019
Arbresh.info

Burime nga selia blu kanë konfirmuar për News24 se protestuesit do të mblidhen në pika të ndryshme të Tiranës. Protestuesit që do vijnë nga juglindja do të mblidhen pranë Fakultetit Ekonomik.
Një grupim tjetër protestuesish mbështetës të opozitës do të mblidhet tek korpusi. Para hapësirës së universitetit do të mblidhen protestues të njësisë 5.

Protestuesit që do vijnë nga juglindja do të bashkohen me pjesën tjetër tek korpusi dhe do të drejtohen para kryeministrisë. Një pikë tjetër do të jetë “rruga e Kavajës” pikërisht kryqëzimi i “21 dhjetorit” dhe “Zogu i Zi”. Ata do të marshojnë drejt sheshit Skënderbe për t’u bashkuar me pjesën tjetër të protestuesve.

Në shesh është parashikuar të mblidhen protestues të njësisë 8, 9 dhe ata që do të vijnë nga Babrruja dhe Paskuqani. Pas bashkimit në sheshin Skënderbe, të gjithë do të nisen drejt kryeministrisë. Pika tjetër e takimit për njësinë 3 dhe 4 do jetë kryqëzimi i rrugës së Elbasanit. Burimet kanë konfirmuar për News24, se protestuesit gjatë gjithë marshimit do të shoqërohen nga deputetët e zonave.

Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të dalë nga selia e partisë për t’iu bashkuar protestuesve i shoqëruar nga disa të rinj. Lulzim Basha ka vendosur të mos mbajë fjalim para protestuesve.

Ajo që nuk dihet apo nuk thuhet ende mbetet orari i përfundimit të protestës. Burimet thonë se nga baza e partisë ka një kërkesë për rezistencë dhe për vazhdimësi të saj. Por nëse do të vijojë, ende nuk është përcaktuar mënyra sesi do të operohet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme